Akademia e Futbollit Vllaznia ka siguruar një miqësore luksi, teksa këtë mesjavë do të luajë një ndeshje ndërkombëtare, ku Vllaznia U14, do të jetë mysafire në Madrid për t’u ndeshur me Atletico de Madrid.
14 vjeçarët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Ndriçim Shtubina dhe kolegu i tij Gjengis Bandula, i kanë dhënë fund përgatitjeve për këtë miqësoren prestigjioze, ndërkohë që paraditen e sotme Alban Hasani(Drejtor AF Vllaznia), Ndriçim Shtubina(Trainer Vllaznia U14), dhanë një konferencë shtypi.
Për drejtorin Hasani, kjo miqësore është në vazhdën e disa ballafaqimeve të rëndësishme që ekipet e Akademisë së Futbollit Vllaznia kanë zhvilluar më herët, ndërkohë që bëri të ditur se krahas ndeshjes mes dy skuadrave U14, në program do të ketë edhe disa takime me drejtuesit dhe trajnerët e moshave të klubit spanjoll, Atletico de Madrid.
Duke falenderuar presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi si dhe sekretarin e përgjithshëm, Blendi Dibra, që kontribuan në realizimin e kësaj miqësoreje, Hasani shtoi se miqësorja në fjalë, pritet të shërbejë për vendosjen e një bashkëpunimi të mirëfilltë mes dy klubeve përkatëse, pse jo një hapësirë më shumë për testime dhe transferta të elementin me perspektiv kuqeblu.
Nga ana tjetër, trajneri me përvojë i disa skuadrave në nivele më të larta, u shpreh i kënaqur që tashmë i jepet mundësia të punojë me këtë grupmoshë.
Sa i takon ndeshjes, Shtubina, tha se ka disa ditë që përgatiten seriozisht për këtë miqësore, ku megjithëse se me skuadrën nuk kanë arritur të udhëtojnë të gjithë futbollistët, do të bëjnë më të mirën në fushën e lojës.
Ndeshja miqësore, Atletico De Madrid – Vllaznia U14, do të luhet me datë 21 Janar 2026, ora 19:30, në Madrid.
(Video) Prononcimet e plota të Drejtorit të AF Vllaznia, Alban Hasani dhe trajnerit U14 Ndriçim Shtubina, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



