(Video) Pragndeshjet me Anglinë dhe Andorrën. Trajneri Silvinjo: Nisim një vit të rëndësishëm, kemi një ëndërr, Botërorin!

Pas publikimit të listës së Kombëtares, me emrat e grumbulluar për dy sfidat ndaj Anglisë dhe Andorrës, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, trajneri Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media.Tekniku kuqezi foli për lojtarët e ftuar, risitë, mungesat e rëndësishme për shkak të dëmtimit dhe për dy ndeshjet e para ndaj Anglisë dhe Andorrës. Konferencën e nisi me një sqarim për mediat për katër lojtarët që mungojnë për shkak të dëmtimeve: Mario Mitaj, Elseid Hysaj, Mirlind Dakun dhe Keidi Barën.

 “Do mundohem të flas pak dhe do t’ju lejoj ju të flisni më shumë. Do ta nis me 4 lojtarët që nuk janë në listë për shkak dëmtimi. Mario Mitaj ka problem në pubalgji dhe është vendosur të operohet. Keidi Bare ka dëmtim në pulpë dhe nuk është i disponueshëm për momentin, ka pasur komunikim mes doktorit tonë dhe klubit të Zaragoza-s. Me Elseid Hysajn kam komunikuar vetë dhe mund të jetë i gatshëm për t’u rikthyer pas pauzës së Kombëtares për t’u trajnuar me ekipin e tij. Daku ka të njëjtin problem, pra në pubalgji, dhe do të ketë mundësi të trajtohet për t’u rikthyer shpejt me ne dhe skuadrën e tij”, rha Silvijo.

Në vijim, Silvinjo, foli për dëmtimet dhe për objektivak e kombëtares në dy ndeshjet e marsit.

“Dëmtimet janë për ne dhe për ta, për të gjithë, për fat të keq ndodhin. Kombëtarja është gjithmonë e hapur, mbërrijnë lojtarë të ndryshëm, kjo është puna. Kemi dy ndeshje të vështira, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, duhet të punojmë shumë për të dyja. Sa i përket Anglisë, jam dakord, është ndër më të fortat në botë, ka lojtarë shumë të fortë, tani ka një trajner shumë të madh, siç ishte edhe Gareth Southgate që arriti dy finale europiani. Tani vjen një trajner tjetër i rëndësishëm, të pret një ekip me nivel të lartë. Ne duhet të punojmë shumë. Më shqetësojnë të dy ndeshjet. Duhet të punojmë dhe t’i përgatisim shumë mirë ndeshjet, sepse janë të ndryshme.”

Për t’u theksuar është rikthimi i sulmuesit nga Malësia e Madhe. Armando Broja, i cili i mungonte kombëtares për arsye dëmtimi.

 “Ne kemi punuar për më shumë se 10 ditë me lojtarët, janë dy situata të ndryshme, të dy janë jashtë prej disa kohësh. Ismajli ka një ripërsëritje të problemit, ndërsa Broja është rikthyer pas një dëmtimi të gjatë. Të dy janë të grumbulluar në skuadrat e tyre këtë fundjavë. Kjo do të thotë që ata janë të shëndetshëm dhe në gjendje për të ardhur. Në momentin që ata do të vijnë, do të bëjmë një vlerësim të gjendjes së tyre. Ritheksoj që janë dy ndeshje shumë të ndryshme. Do të kemi stërvitje të ndryshme. Kemi mbi tre muaj pa i parë lojtarët; e dëgjova dhe në një intervistë të një trajneri tjetër që është diçka që të mungon fusha dhe stërvitja në këto raste. Pavarësisht se ne jemi gjithmonë duke punuar dhe vizitojmë lojtarët, por fusha është ajo që të mungon. Ne do të bëjmë vlerësimet e duhura gjatë ditëve në vazhdim.”

Grumbullimi zyrtar i kombëtares nis të hënën më 17 mars. Ndeshjen e parë kuqezinjtë do ta luajnë ndaj Anglisë në “Wembley” më 21 mars, në orën 20:45. Ndërsa, takimi i dytë është më 24 mars ndaj Andorrës në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, në orën 20:45.

(Video) Konferenca e plotë e trajnerit të kombëtares Silvinjo në prag të ndeshjeve ndaj Anglisë dhe Andorrës, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu