Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi këtë të hënë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” projektin e rëndësishëm “Elite Youth Development Academy”, që do të vihet për herë të parë në zbatim në vendin tonë nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.
Një projekt shumë i rëndësishëm që do të përfshijë 37 fëmijë të talentuar të datëlindjeve 2010 dhe 2011, teksa qëllimi kryesor është edukimi dhe trajnimi i talenteve jo vetëm në kontekstin sportiv por edhe në atë edukativ dhe personal. Specialistët e ekipeve Kombëtare dhe Drejtorisë Teknike në FSHF do të trajnojnë talentet në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa fëmijët e përzgjedhur nga rrethet do të qëndrojnë në një nga hotelet e kryeqytetit afër me shkollën ku ata do të studiojnë. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA.
Të pranishëm në prezantimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtori i Zhvillimit dhe Edukimit Teknik në UEFA, Olivier Doglia, përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, përfaqësues të Bashkisë Tiranë, si edhe prindër, gazetarë, personalitete e legjenda të futbollit shqiptar, etj.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni u shpreh se është një ditë e shënuar për futbollin shqiptar nisja e një projekti kaq të rëndësishëm. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar nënvizoi se nëpërmjet këtij projekti do të dalin futbollistë të talentuar që do të jenë të vlefshëm për ekipet Kombëtare, si edhe falënderoi të gjithë faktorët që do të bëjnë të mundur realizimin e këtij projekti në vendin tonë.
“Mirë se vini në këtë ceremoni simbolike për startin e akademisë elitë të futbollit shqiptar, për herë të parë në vendin tonë. Më lejoni që në emër tuaj dhe të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar t’i uroj mirëseardhjen dhe të falënderoj përfaqësuesin e Drejtorisë Teknike të UEFA-s, Olivier Doglia që është sot këtu me ne. Jo vetëm për prezencën sot, por edhe për mbështetjen apo shtysën kryesore për fillimin e kësaj akademie në Shqipëri. Gjithashtu, dua ta falënderoj edhe për të gjithë punën e tij në mbarë Europën për këtë akademi, e cila ka sjell rezultatet e saj të prekshme.
Ju thashë edhe djemve anëtarëve të parë të akademisë, kundërshtari që ne luajmë nesër në stadiumin “Air Albania” Gjeorgjia, ka pesë futbollistë të cilët kanë dalë nga “Elite Youth Development Academy” në Gjeorgji. Pra, ju jeni e ardhmja e Kombëtares shqiptare.
Nëpërmjet Oliverit, unë do të doja të falënderoja edhe Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, për politikat e tij në mbështetje të futbollit të fëmijëve, për politikat e tij për zhvillimin dhe sigurimin e të ardhmes së futbollit në të gjithë Europën. Në të njëjtën kohë do të doja të falënderoja Ministrinë e Arsimit, Endrit Hoxhën që është këtu dhe Ministren Ogerta Manastirliu për mbështetjen e këtij projekti, pasi këtë projekt do ta zhvillojmë së bashku. Në vitin e parë projekti do të bëhet në Tiranë me buxhetin e UEFA-s dhe FSHF-së, fëmijët do të jenë të bashkuar dhe do të akomodohen në një hotel, do të stërviten të gjithë bashkë nën kujdesin e specialistëve më të mirë të stafeve të ekipeve Kombëtare dhe Drejtorisë Teknike në “Shtëpinë e Futbollit”. Në vitin e ardhshëm si rezultat i një marrëveshje të Drejtorit Teknik të FSHF, Fulvio Pea, me Bashkinë Durrës dhe Ministrinë e Arsimit, akademia do të akomodohet në një strukturë të re, e cila po ndërtohet pranë shkollës së futbollit në Durrës.
Akademia ka si qëllim kryesor rritjen sportive, edukimin e fëmijëve, rritjen e frymës së skuadrës dhe ne vetëm si një skuadër bashkë mund të realizojmë objektivat tanë, të cilat ne i kemi vendosur në strategjinë e futbollit për kombin. Vetëm si një skuadër Federatë Futbolli, Ministri, Bashki dhe padyshim me mbështetjen dhe dashamirësinë e prindërve ne mund të realizojmë që këta djemë të rriten profesionalisht, të edukohen shumë më mirë, të bëhen profesionistë shumë të mirë dhe të përfaqësojnë Kombëtaren shqiptare.
Qëllimi tjetër i kësaj akademia është edhe rritja e bashkëpunimit me klubet dhe akademitë e futbollit në Shqipëri. Seancat stërvitore do të jenë të hapur për të gjithë specialistët, demostrative me qëllim që e njëjta frymë, me të njëjtën mënyrë se si do të trajnohen këto futbollistë të së ardhmes në “Shtëpinë e Futbollit” të përçohet edhe në të gjithë akademitë dhe klubet e futbollit në të gjithë vendin. Kjo është dita e parë e kësaj akademie dhe mendoj që është një ditë shumë e shënuar për futbollin shqiptar. Jam shumë i bindur dhe i sigurt që do të kemi rezultate shumë pozitive. Jam shumë i bindur dhe i sigurt që fëmijët e datëlindjeve 2010 – 2011, 37 fëmijë që po fillojnë sot këtë edicion do të jenë pjesë e ekipeve Kombëtare, do të jenë shembujt më të mirë për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.
Në fund, dua të uroj për një fillim të mbarë dhe sa më shumë sukses. Të gjithë djemtë i inkurajoj në punën e tyre dhe i garantojë për mbështetjen e padiskutueshme të gjithë faktorëve, Federatës, Qeverisë, Bashkive dhe ajo që është kryesorja dashurinë e prindërve tuaj. Të gjithë bashkë ne do ta çojmë përpara dhe do të realizojmë ëndrrat tuaja për t’u bërë futbollistë. Faleminderit të gjithëve dhe fillim sa më të mbarë”, – tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Olivier Doglia u shpreh besimplotë se ky projekt do të jetë i suksesshëm, teksa falënderoi FSHF-në për mbështetjen që i jep fëmijëve në mënyrë që ata të zhvillojnë të ardhmen e tyre në futboll.
“Jam shumë i lumtur që jam sot këtu për përurimin e kësaj akademie. Mendoj që është një projekt shumë i mirë dhe e kam parë edhe feedback-un e këtyre akademive në vendet e tjera. Përgatituni për një event fantastik. Falënderoj Presidentin Duka, Drejtorin Teknik Pea sepse për ne në UEFA është shumë e rëndësishme që të ndjejmë mbështetjen e institucioneve të tilla që të nxisim të rinjtë që të zhvillojnë talentin e tyre në futboll. Për prindërit – ne në UEFA e vlerësojmë shumë që një fëmijë të zhvillohet në aspektin futbollistik, të ruajë vlerat dhe të zhvillohet si individ. Për djemtë – Ky është momenti juaj. Duhet të jeni shumë krenarë që jeni të përzgjedhurit e kësaj akademie. Jepni 120% tuaj dhe ju sugjeroj që ta shijoni dhe të bëni më të mirën tuaj”, – tha Olivier Doglia.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha falënderoi Presidentin e FSHF-së dhe Drejtorin Teknik për inicimin e këtij projekti dhe uron që të shkojë sa më mbarë.
“Ju fëmijë jeni themeluesit e një nisme shumë të madhe. Kemi nisur së bashku një projekt nën autoritetin e Presidentit të FSHF-së dhe Ministres së Sportit, për një ëndërr që është jo vetëm ekipi kombëtar. Kur jemi bashkë, ne mund të ecim dhe të kalojmë sfida. Duke nisur nga viti i ardhshëm, besoj që me Bashkinë e Durrësit, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe qeverinë shqiptare, kjo ëndërr do të vijojë. Kur jemi bashkë bëjmë gjëra shumë të mira dhe të bukura. Prindërit- vazhdoni të prindëroni. Kushdo prind do që fëmija të jetë i zgjedhur. Dhe nga ky komision teknik, çdo gjë ka qenë ‘fair’. Uroj fëmijët, ëndërroni fort, nuk është e lehtë. Do t’ia dilni. President, dua t’ju uroj fort sepse pasioni, dëshira dhe përkushtimi juaj dhe çfarë keni dhënë në sportin e futbollit keni bërë që dhe ne si qeveri të vijmë mbrapa jush sepse projektet tuaja janë shumë ambicioze”, – tha përfaqësuesi i qeverisë në fjalën e tij.
Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea shpjegoi projektin më në detaje, teksa falënderoi prindërit për besimin e dhënë për zhvillimin e këtij projekti.
“Jemi munduar të marrim idenë që kishte Presidenti dhe për të realizuar këtë projekt ambicioz që do të zgjasë 4 vite dhe që përbëhet nga dy grupmosha fëmijësh 2010 dhe 2011, me 37 djem të rinj që vijnë nga e gjithë Shqipëria. Projekti është i ndarë në dy pjesë. Fëmijët që jetojnë në Tiranë do të vijnë në Shtëpinë e Futbollit për t’u stërvitur ndërsa fëmijët që nuk jetojnë në Tiranë do të jetojnë në një hotel në kryeqytet, do të studiojnë në shkollën “Emin Duraku” dhe do të stërviten në Shtëpinë e Futbollit. Ky projekt ka një vlerë teknike dhe njerëzore. T’u kërkosh djemve të jetojnë me njëri-tjetrin, do t’i ndikojë ata në zhvillimin e tyre teknik dhe do t’i rrisë ata si djem. I kemi premtuar UEFA-s që nga korriku 2025 deri në fund të projektit, të gjithë djemtë do të jetojnë në të njëjtën strukturë së bashku, për të respektuar kërkesat e UEFA-s. Më pas do të spostohemi në Durrës, në një strukturë të sapondërtuar. Kështu fëmijët mund të trajnohen të studiojnë dhe të jetojnë dhe të merren 4 ditë me futboll. Falënderojmë prindërit për besimin që na kanë dhënë, sepse po na besojnë fëmijët e tyre. Unë jam thjesht përfaqësues i këtij projekti, por pas meje janë shumë persona të cilët po punojnë dhe do të punojnë. I uroj punë të mbarë. I uroj shumë fat edhe këtyre djemve sepse talenti dhe pasioni mund të bëhen bashkë dhe t’i japin të ardhme kombëtares kuqezi”, – tha ndër të tjera Fulvio Pea.
Një mesazh për fillimin e këtij projekti e dha edhe nëna e një prej fëmijëve që është pjesë e “Elite Youth Development Academy”. Në fjalën e saj, znj. Sonja Bahushi, vlerësoi punë e madhe të bërë nga FSHF për zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe theksoi se edhe prindërit do të japin kontributin e tyre për ta bërë këtë projekt sa më të suksesshëm.
“I nderuar President Armand Duka, përfaqësues i UEFA-s, prindër dhe miq të pranishëm. Jam e lumtur dhe e nderuar që ndodhem sot këtu dhe po flas në emër të të gjithë prindërve për këtë projekt kaq të rëndësishëm që i përket të ardhmes së fëmijëve tanë dhe për më tepër, të ardhmes së futbollit. Në radhë të parë do të doja të falënderoja Federatën Shqiptare të Futbollit në emër të gjithë prindërve për nisjen e këtij projekti, që është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve tanë.
Futbolli është pasioni më i madh i të gjithë fëmijëve që luajnë, stërviten dhe rriten me këtë sport, prandaj jemi shumë të lumtur që falë këtij projekti specialistët më të mirë të fushës do të kujdesen për fëmijët tanë për të arritur në nivelet më të larta të suksesit.
Federata e Futbollit ka investuar shumë në futbollin e fëmijëve dhe ne si prindër jemi të kënaqur që çdo ditë e më shumë futbolli i fëmijëve po kthehet në prioritetin numër një, falë edhe mbështetjes së UEFA-s. Ky projekt ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, por edhe për promovimin e talenteve të rinj, të cilët do të jenë ambasadorët e së nesërmes për Shqipërinë nëpërmjet lojës së bukur të futbollit. Faleminderit të gjithëve për përkushtimin dhe le të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë këtë projekt të suksesshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë”, – tha Sonja Bahushi.