Tërbuni-KF Shiroka 1-1(Shënues: Elsamed Burgaj 60’ / Rigers Musaraj 3’)
Pas shtatë fitoreve radhazi, KF Shiroka është ndalur në Pukë duke barazuar 1 me 1 me ekipin vendas Tërbuni.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës ka qënë e një rëndësie të veçantë për të dyja skuadrat që kërkonin fitoren.
Pukjanët, për t’u ngjitur në renditje ku mbajnë vendin e gjashtë dhe shirokasit për të mbajtur kreun e tabelës së klasifikimit.
KF Shiroka e drejtuar nga dyshja Tatangelo-Mani e ka nisur ndeshjen në mënyrën më të mirë, kur që në minutën e tretë ka kaluar në avantazh me golin e shënuar nga Rigers Musaraj.
Goli e miqve nga Shkodra ia ka shtuar edhe më shumë emocionet e këtij dueli, me vendasit që kërkojnë barazimin, por pa mundur të konkretizojnë sulmet e tyre me gol duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin e Shirokës 0 me 1.
Edhe pjesa e dytë vazhdon të shoqërohet me luftë të fortë sportive, kjo edhe për meritë të Shirokës, e cila edhe pse në avantazh kërcënon edhe për një gol të dytë.
Megjithatë, janë pukjanët ato që në të 60-tën minutë shënojnë me autor Elsamed Burgaj duke e barazuar rezultatin në 1 me 1.
Minutat në vazhdim janë edhe më të luftuara, ku të dyja skuadrat kërkojnë golin e fitores, por vërshëllima e fundit e arbitrit Dyrmisha fikson shifrat e barabarta 1 me 1.
Barazim ky që i kushton Shirokës lëshimin e vendit të parë, pasi tashmë në krye është Besëlidhja, e cila pas fitores së thellë 10 me 0 ndaj Adriatik barazohet me pikë me shirokasit, por me galaverazh më të mire, lezhjanët kryesojnë renditjen.
Ndërkohë, Tërbuni i drejtuar nga trajneri Anxhelo Suta, me pikën e marrë ndaj Shirokës shkon në kuotën 8 pikëve duke mbajtur vendin e gjashtë në renditje pas Sopotit, Erzenit dhe Luzit 2008, të cilët mbajnë vendin e tretë, katërt dhe të pestë.
(Video) Pamje nga ndeshja Tërbuni-Shiroka(golat), si dhe prononcimin e trajnerit të Tërbunit, Anxhelo Suta, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gani PEMAJ



