Monday, February 3, 2025

(Video) Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër zhvillon Asamblenë e Përgjithshme Vjetore, ja vendimet që u morën

Lexo

Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër zhvilloi sot punimet vjetore ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në këtë qark. Shoqata përfshin bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, Dropull, Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë, duke luajtur një rol kyç në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve sportive në rajon.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe anëtari i KE-së, Gjergji Petro si edhe zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj. Në fjalën e tij përshëndetëse, zv. Presidenti Dervishaj theksoi angazhimin për rritjen e vëmendjes ndaj futbollit në këtë qark. Ai nënvizoi investimet e realizuara dhe ato të planifikuara, duke përmendur rinovimin e tapetit të stadiumit “Luftëtari” në Gjirokastër gjatë vitit 2024. Investimet do të vazhdojnë me rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes dhe pajisjen me stola si edhe në projekt është ndërtimi i dy fushave stërvitore në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër.

“Gjatë vitit të kaluar, FSHF ka financuar dhe ka realizuar me sukses instalimin e tapetit të ri të stadiumit “Luftëtari”, duke krijuar një infrastrukturë më të mirë për klubet dhe talentet e reja të zonës. Për më tepër, kemi miratuar ndërtimin e dy fushave të reja në Gjirokastër, të cilat do të përfundojnë në muajt në vijim dhe do të jenë një tjetër hap i rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në këtë rajon”.

Ndër të tjera, Dervishaj foli edhe për shpopullimin e zonës dhe problemet që ky faktor social shkakton edhe në fushën e sportit. “FSHF po ndjek me shqetësim fenomenin e depopullimit të zonës dhe faktorët socialë që ndikojnë jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në futbollin e rajonit. Ne e kuptojmë se largimi i të rinjve dhe sfidat ekonomike mund të vështirësojnë punën e klubeve dhe akademive, prandaj synojmë të mbështesim nisma që jo vetëm zhvillojnë sportin, por edhe kontribuojnë në komunitetin e gjerë.Dëshiroj gjithashtu të theksoj se do të vlerësonim shumë nëse kjo Asamble nuk do të jetë thjesht një mbledhje formale, por një mundësi për të diskutuar realisht problematikat dhe sfidat që has futbolli në këtë rajon. Vetëm përmes një dialogu të hapur dhe të sinqertë mund të identifikojmë zgjidhje dhe të marrim vendime që ndikojnë pozitivisht në të ardhmen e futbollit në Gjirokastër” – tha Arben Dervishaj.

Në këtë mbledhje të përvitshme ishin 6 anëtarët e shoqatës të përfaqësuar nga 7 delegatë ku u diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës që kishin të bënin me: raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiar dhe miratimin e buxhetit për vitin 2025. Ndër të tjera u zgjodh edhe delegati që do të përfaqësojë këtë shoqatë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së që do të jetë kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, Sadik Sadikaj.

Një vendim me rëndësi të veçantë ishte edhe ndryshimi i emblemës së Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, që u miratua me unanimitet të plotë nga delegatët.

(Video) Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër. Fjala përshëndetëse e  zv. Presidentit të FSHF-së Arben Dervishaj

Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img