Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër zhvilloi sot Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore 2026, ku morën pjesë 19 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 27 delegatë.
Pika kryesore e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Shkodër për katërvjeçarin e ardhshëm.
Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se ishte paraqitur vetëm një kandidaturë, kërkesa për rikandidim nga Lazer Matija, i propozuar nga 17 anëtarë të shoqatës.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore, me unanimitet të plotë, vendosi të rizgjedhë z. Lazer Matija si Kryetar i SHRF Shkodër për një mandat katërvjeçar.
Në fjalën pas rizgjidhjes, Lazer Matija i falënderoi të gjithë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet zhvillimi i futbollit, mbështetja e klubeve, forcimi i strukturave dhe krijimi i mundësive sa më të mira për talentet e rinj.
“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë duke më rizgjedhur si Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Mandati i ri përfaqëson një përgjegjësi të madhe, por po aq edhe një mundësi të çmuar për të vazhduar punën tonë drejt përparimit dhe forcimit të futbollit rajonal.
Jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e këtij posti dhe angazhimi im do të jetë i palëkundur, të punoj me transparencë, me profesionalizëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha klubet, akademitë dhe anëtarët e shoqatës. Besoj fort se së bashku do të përballojmë çdo sfidë dhe do të arrijmë objektivat tona.
Prioritet do të mbeten zhvillimi i futbollit, mbështetja e klubeve, forcimi i strukturave tona dhe krijimi i mundësive të reja për talentet e rinj që përfaqësojnë të ardhmen e sportit në rajonin tonë”, – tha Lazer Matija.
Gjatë punimeve të asamblesë u miratuan raporti i aktivitetit të shoqatës, pasqyrat financiare dhe buxheti i vitit 2026. U zgjodhën gjithashtu delegatët që do të përfaqësojnë SHRF Shkodër në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së: kryetari Lazer Matija dhe Alfred Pjetri.
Anëtarët e shoqatës propozuan z. Armand Duka si kandidat për President të FSHF-së, i cili u votua unanimisht, ndërsa për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së u votua gazetari i njohur dhe autori e drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu.
(Video) Pamje nga punimet e Asamblesë së Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, si dhe prononcimi i kryetarit të rizgjedhur, Lazër Matija.



