Tuesday, November 26, 2024

(Video) Shqipëria U-21/ Bushi para dueleve me Finlandën & Malin e Zi: Jemi të fortë kur luajmë të bashkuar, duam Europianin

Lexo

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U-21, ka dalë para mediave në prag të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2025 ndaj Finlandës (13 tetor, 17:00) dhe Malit të Zi (17 tetor, 14:30). Tekniku i 21-vjeçarëve kuqezi u ndal te lista e futbollistëve të grumbulluar për këto dy përballje dhe te objektivat që ka. Bushi theksoi se tek ai dhe ekipi ka ndryshuar filozofia dhe në këto kualifikuese do të luajnë vetëm për të arritur në finalet e “Euro 2025”. Për trajnerin e Shqipërisë U-21, skuadra e tij është e fortë kur luan si grup.

NDRYSHIMET NË LISTË – “Faktikisht ekipi kombëtar është një specifik më vete , mendojë unë sepse ne  marrim gjithmonë ata lojtarët që janë në formë të momentit. Ata na ndihmojnë, por nuk është e thënë që këta lojtarë nuk do të vijnë më në të ardhmen.  Patjetër janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, kanë kontribuar shumë mirë në këto dy ndeshje, edhe në ato miqësore si Bibo dhe Selimaj po edhe Simoni që ka qenë i dëmtuar. Por kemi thënë gjithmonë që ne marrim ata që janë më të mirët, kto zgjedhje bëjmë ne”.

ENTUZIASMI I DY FITOREVE – “Unë jam i mendimit që si fitorja ashtu edhe humbja duhet harruar shumë shpejt, me këtë strategji ecim, edhe te dhomat e zhveshjes. Futbolli është një sport shumë i çuditshëm, është një sport që ka 30 ndeshje në vit dhe ti duhet të fitosh gjithmonë që të jesh aty lart ku duhet të jesh. Kështu që si kur fitojmë edhe kur humbim duhet ta harrojmë dhe të shikojmë ndeshjen tjetër. E dimë shumë mirë se kush jemi. Jemi Shqipëria, në krahasim me grupin janë shumë para nesh, si Zvicra si Finlanda, po ashtu edhe Rumania, edhe nuk ka asnjë llojë vetëkënaqësie, asnjë lloj euforie, sepse e dimë shumë mirë kapacitetin që kanë ata. Vetëm ekipi rumun është 30 milionë euro ekip, kurse ne shkojmë apo nuk shkojmë 1 milion euro, komplet lojtarët. E njëjtë gjë është edhe me Finlandën, kshu që nuk ka asnjë llojë euforie. Jemi ekip i fortë kur bëhemi bashkë sepse luftojmë 1 kundër 2, nëse nuk luftojmë 1 për 2, ne nuk fitojmë asnjë ndeshje, sepse këto janë kualitetet tona. Po të shikosh edhe lojtarët që kemi, nuk është se kemi një grup që kanë të gjithë minuta në këmbë, është një grup që janë disa lojtarë  të mirë, por ka edhe disa lojtarë që janë pa minuta, kurse është e kundërta me kundërshtarin që janë të gjithë që luajnë në superligat e europës si Finlanda, Rumania dhe Zvicra. Janë lojtarë me nga 90 minuta në këmbë. Pra i qëndroj gjithmonë asaj që duhet të luftojmë 1 për 2. Mendoj që me lojtarët e rinj që na kanë ardhur, unë dua t’i përshëndes dhe t’i falënderoj si Berishën dhe Shabanin, njëri ka ardhur nga Bayerni dhe tjetri nga Mainz. Mendoj se do të na shërbejnë shumë dhe do të na ndihmojnë në rrugën tone”.

EMRA PËR KOMBËTAREN E PARË? – “Kjo pyetje bëhet në çdo konferencë dhe nuk është se mund të ndryshojmë shumë çdo muaj. Ato mendimet tona bazë kanë qenë që ka shumë lojtarë, janë 4-5 lojtarë që mund të përfaqësojnë ekipin. Pata edhe një bisedë me stafin e ekipit A, por për momentin nuk është se ka lojtarë që mund ta ndihmojë ekipin A. Flasim për momentin, duke parë edhe lojtarët që kanë ata në grupin e tyre. Në perspektivë janë shumë”.

KU NDRYSHON SHQIPËRIA U-21 AKTUALE ME TË MËPARSHMET? – “Mendoj që janë grup më interesant. Pastaj edhe ne kemi një eksperiencë më shumë, se nga dita në ditë mësojmë më shumë. Edhe ne kemi ecur, kemi mësuar, plus edhe lojtarët po na ndihmojnë, plus edhe stafi i gjerë që ka Federata, Drejtoria Teknike, një prej tyre është këtu, profesor Sulejman Mema. Bashkëpunimi me një grup sa më të gjerë është çelësi i suksesit”.

SHPRESOHET KUALIFIKIM APO DO JENI TË KENAQUR DUKE DËRGUAR LOJTARË TE KOMBËTARJA A? – Kombëtarja A ka shumë futbollistë. E kam thënë edhe para shumë vitesh, që do vijë një kohë që do kemi shumë dhe do ketë shumë vështirësi trajneri i parë për të zgjedhur, pasi do jenë gati 30-32 lojtarë që mund të luajnë të gjithë me ekipin A. Gjithashtu edhe tek ekipi U21 mund të afrohen shumë për një ose dy vite në të ardhmen. Ne na ka penalizuar gjithmonë lojtarët që ka marrë ekipi A në të shkuarën. Kemi pasur disa ndeshje specifike, si ajo në Slloveni dhe Kosovë, dy ndeshje jashtë. Po të merrnim ato 6 pikë mund të shkonim afër kualifikimit. Nuk kishim lojtarë si Muçi, si Broja apo Kumbullën. Nëse do i kishim ata, do ishim ndryshe. Gjithsesi nuk dua të flas për të shkuarën, të flasim për çfarë do bëjmë tani. Tani nuk na merr më, pasi janë lojtarë që nuk janë gati. Janë shumë të mirë, por jo gati për momentin. Shpresojmë që këtë edicion ta shtyjmë me këta lojtarë që kemi. Nëse do jemi afër kualifikimit, në ndonjë ndeshje specifike për të ardhmen, kemi dy alternativa nëse ekipi A është pushim. Janë Asllani e Mitaj, që mund t’i marrim nëse ka ndonjë emergjencë, që jemi afër kualifikimit”.

RAPORTI ME SILVINJON – “Bashkëpunim kemi pasur me të gjithë trajnerët e Kombëtares. Është bashkëpunim më i mirë se me të tjerët, kjo duhet thënë, pasi është gjithë kohën aty. Jemi edhe ne aty dhe bashkëpunojmë e flasim. Kjo ka sjellë të mirat e veta, si tek ekipi A, ashtu edhe tek ekipi U-21. Është një bashkëpunim i mirë, më pëlqen”.

ÇFARË KA NDRYSHUAR NË FILOZOFINË TUAJ? – “E thashë edhe pak më parë që stafi është zgjeruar dhe trajneri nuk mund të bëjë gjë pa staf, absolutisht që jo, duke filluar që tek zëvëndësi e deri tek i fundit, dhe drejtoria lart, janë shumë të rëndësishëm për lojën e Futbollit. Kjo është një lojë kolektive , por patjetër sepse edhe ne jemi përmirësuar nga viti në vit, sepse punojmë. Mendojë që këtë radhë do të shkojmë në limite, në kuptimin që nuk do të shkojmë për t’u mbrojtur, por do të shkojmë ose për kualifikim ose për asgjë. Kjo është ajo që ka ndryshuar te mua këtë sezon”.

FINLANDA SKUADRA E FORTË, PO MALI I ZI?  “Mali i Zi është shumë i fortë, po aq sa Finlanda. Mali i Zi është ekip shumë i fortë, pavarësisht se ne luajmë ndeshjen e dytë dhe nuk e kam menduar fare me thënë të drejtën. E vërtetë që na kanë mundur në një ndeshje miqësore dhe është ekip që të merr pikë, i merr pikë kujdo dhe jo më ne që jemi njësoj si ata. Nuk ka asnjë llojë diference. Mali i Zi me Shqipërinë janë aty – aty, është ekip që merr pikë, e ka treguar edhe në kualifikueset e kaluara që i ka marrë pikë ekipeve të mëdhaja me emër. Është ish-Jugosllavja që gjithmonë nxjerrin talente dhe kanë futbollistë, por nuk është se e kam menduar Malin e Zi fare. Ashtu siç nuk e kisha menduar fare Rumaninë kur luajta në Armeni, por video-analistët tanë i kanë bërë të gjitha gati dhe në momentin që do të mbarojë ndeshja me Finlandën jemi gati për të studiuar Malin e Zi”.

5 NDESHJET E FUNDIT, 4 FITORE NJË HUMBJE, ÇFARË KA NDRYSHUAR TE SKUADRA? – “Ky është sekreti, ajo që ka ndryshuar te mua, ka ndryshuar edhe te grupi. Pra grupi e di shumë mirë që ka një objektiv dhe një qëllim për të shkuar në Europian, kjo nuk diskutohet. Por e dimë shumë mirë që jemi Shqipëria, e dimë kapacitetin dhe bagazhin që kemi. Aa të fortë jemi edhe këtë e dimë ne, edhe se si duhet të luftojmë. Kjo është diçka e mirë, që është injektuar te grupi, që duan të shkojnë në Europian. Kjo më gëzon mua dhe stafin, më bën të ndihem mirë sepse është shumë e rëndësishme motivimi me lojtarët. Për shembull, në ndeshjen me Rumaninë ata ishin shumë të lodhur nga udhëtimi që bëmë në Armeni. Ishin jashtëzakonisht të lodhur dhe kishim një Rumani që ishte shumë e freskët, që nuk kishte luajtur dhe dhjetë ditë kishte bërë vetëm stërvitje. Në pjesën e dytë u dukën ata të lodhur, kurse ne u dukëm më të freskët. Kjo është dëshira që kanë ata dhe qëllimi që ata i kanë vënë vetes për të arritur te objektivat tona”.

MOMENTI TË MARRIM PIKËT, JO LOJA – “Nuk është se e kam qejf këtë. E them te ju, po e kam thënë edhe te lojtarët. Nuk e dua një fitore të shëmtuar, qoftë edhe nëse shkojmë në Europian. Nëse nuk mësojmë nga ajo ndeshje, nuk marrim gjë. Nuk ëshët se vajtëm në Europian dhe u bë ndonjë gjë e madhe. Rëndësi ka që këta futbollistë të mësohen, të marrin eksperiencë që të shkojnë tek ekipi A. Duhet të luajnë futboll të bukur, të mos kenë frikë nga askush. Kjo është që unë kërkoj të futbollistët, të luajnë futboll të bukur dhe të sakrifikojnë, patjetër. Nëse nuk luftojmë, atëherë është një problem i madh dhe ata e dinë shumë mirë që del përjashtë që në minutë të parë a të dytë, nëse nuk vrapojnë apo nuk sakrifikojnë për njeri tjetrin”.

OBJEKTIVI PËR DY NDESHJET – “Do më kënaqin 6 pikë. Mendoj se 4 pikë është mirë, një objektiv i mirë që mund ta marrim. Në listën time të dëshirave, kualifikimi në Europian zë vendin e parë. Kualifikimi ëshët shumë i rëndësishëm për ne, është gjithë qëllimi, dëshira jonë dhe e lojtarëve. Kualifikimi është shumë interesant. Ua kam thënë edhe çunave, që kur e shikojmë grupin, nuk ëshët një grup i gjerë. Është një grup më i ngushtë se kundërshtarët, por janë futbollistë që të lënë me sy hapur, pasi kanë shumë cilësi, kanë shumë talent dhe mund të mundin çdo kundërshtar. Ky është qëllimi ynë. Kualifikimi në Europian është një gjë shumë e mirë, si për ekipin U-21, si për Shqipërinë”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img