Vllaznia-Tirana 2-3(18-25, 15-25, 25-17, 25-20, 15-17)
Emocione dhe spektakël ka dhuruar ndeshja Vllaznia-Tirana 2-3 e vlefshme për javën e 12-të të Superligës së Volejbollit Meshkuj. Një klasike e volejbollit shqiptar, e cila u shoqërua me një rivalitet shumë të madh deri në dy pikët e fundit të setit final.
Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së martës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës nisi më mirë për Tiranën, e cila fiton setin e parë me shifrat 18-25.
Miqtë nga kryeqyteti të drejtuar nga trajneri Arben Sako, vijojnë të luajnë mirë edhe në setin e dytë, madje e fitojnë atë më me lehtësi, 15-25 duke shkuar në avantazhin 0-2 me sete.
Por, volejbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, do të ktheheshin në lojën e tyre në setin e tretë. Një set ky që kishte në dorë fatet e ndeshjes, me miqtë që kërkojnë ta mbyllin ndeshjen me fitoren 0 me 3, ndërsa Vllaznia, me një fitore të këtij seti për të rihapur ndeshjen. Kuqeblutë fitojnë 25-17 duke ngushtuar rezultatin e seteve 1-2.
Entuziazmi i setit të tretë në kampin kuqeblu vijon edhe në setin e katërt, ku Vllaznia del përsëri fituese, këtë radhë 25-20 duke barazuar rezultatin e seteve në 2-2. Kështu, që për të fiksuar ekipin fitues të kësaj ndeshje duhet të luhet seti i pestë final i ndeshjes.
Sipas rregullores, seti final luhet deri në pikën e 15-të, por nisur nga rivaliteti i madh që u shfaq në fushën e lojës, bëri që rezultati të barazohej pikërisht në shifrat 15-15 duke kërkuar pikët shtesë për të fiksuar ekipin fitues.
Dy pikët e fundit shtesë i takojnë Tiranës, e cila fiton setin e pestë, 15-17, dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm me sete, 2 me 3.
(Video) Pamje nga ndeshja e Superligës së volejbollit meshkuj, Vllaznia-Tirana, 2-3.