Akademia Vllaznia U-17 me trajner Edmond Doçin dhe kolegun e tij Denis Zmijani e ka mbyllur fazën e tretë të Superligës së moshave me një fitore të thellë të realizuar ndaj Shkëndisë së Tiranës me rezultatin 3-7. Tre nga 7 golat e shënuar në kryeqytet mbajnë firmën e sulmuesit Kevin Dodaj, i cili me shifrën e përgjithshme prej 23 golave të shënuar këtë sezon, është golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ndërkohë, 4 golat e tjerë të kësaj ndeshje për Vllazninë U-17 i kanë shënuar, Rijad Fangaj(2), Ersi Zaganjori dhe Klajt Halili nga 1.
I lindur në Pukë, Dodaj ka zgjedhur Shkodrën për t’u formuar si futbollist, dhe për këtë ndjehet i kënaqur, ku përpos drejtuesve aktualë tek Vllaznia, falenderon edhe trajnerët e mëparshëm në ekipet e tjera të futbollit shkodran, me të cilët ka rrugëtuar që në moshën 9 vjeçare, si Elton Bungaja dhe Saimir Kaloshi të Atletik Club Shkodra, Astrit Premçi dhe Brikeno Bizi, për të mbërritur tek skuadra aktuale ku luan tani me trajner, Edmond Doçi dhe Denis Zmijani.
Por, krahas trajnerëve me të cilët ka punuar, Kevin ndalet edhe tek familja, për të cilët thotë se e kanë mbështetur që në moshë të vogël për të vijuar bashkëjetesen me pasionin e tij në sportin e futbollit.
Duke folur për vazhdimësinë, sulmuesi Kevin Dodaj, thotë se synon të luajë me ekipin e parë të Vllaznisë dhe kombëtaren, por edhe në një kampionat të huaj.
Në fazën Play Off, Vllaznia U-17 do të luajë me Durrësin 04, ku Dodaj beson në fitoren e ekipit si dhe ai vetë personalisht të shënoj të tjerë gola.
Krahas ndeshjes çerekfinale të fazës Play Off, Vllaznia-Durrësi 04 që luhet të shtunën në Tiranë, pas pak ditësh, Vllaznia U-17 do të luajë finalen e Kupës së Shqipërisë po me këtë kundërshtar, Durrësin 04, duke synuar të bëhet fitues i këtij trofeu.
Gaspër MARKU
(Video: Intervista me futbollistin Kevin Dodaj, si dhe disa nga golat e tij me Vllazninë U-17)