Shkodra Tennis Club, ishte organizatori i Turneut të Ligës veriore të veteranëve, aktivitet ky ku morën pjesë 34 tenist veteran shkodran, të moshave nga 35 deri në 45. 182 ndeshjet e zhvilluara në kompleksin e ri sportiv zgjaten për një muaj me radhë, ku pas konkurimit të fazës në grupe u zhvilluan dy gjysëmfinalet.
Alban Hasani-Sokol Hoxha, ndeshje kjo e fituar nga Hasani me rezultatin 2-0, si dhe Andi Bilali-Gert Meta, e fituar nga Bilali me rezultatin 2-1.
Sfida finale zhvilluar mes Andi Bilalit dhe Alban Hasanit, e zhvilluar mbrëmjen e martës u përshkua me një rivalitet të fortë, ku pas rreth dy orë lojë, fitues i takimit u shpall bilardisti me përvojë, Andi Bilali me rezultatin 2-0.
Në përfundim të finales u zhvillua edhe ceremonia e mbylljes së aktivitetit, ku kupa e vendit të dytë për tenistin, Alban Hasani u dorëzua nga trajneri I tenisit shkodran, Agron Hafizi. Ndërkohë, presidenti i Shkodra Tennis Club Mark Gjeka, i dorëzoi kupën e fituesit të turneut, Andi Bilalit.
Krahas konkurimit për të nxjerrë kampionin shkodran të veteranëve të vitit 2021, aktiviteti në fjalë kishte për qëllim që të përcaktonte edhe tetë më të mirët e tenisit shkodran, të cilët pas pak ditësh do të përfaqësojnë Shkodrën në një aktivitet të zgjeruar kombëtar me pjesëmarrjen e të gjithë ekipeve të Shqipërisë, ku krahas katërshes gjysëmfinaliste, Andi Bilali, Alban Hasani, Sokol Hoxha, dhe Gert Meta, në formacionin shkodran, janë edhe Sokol Jubica, Edi Pelinku, Elvis Bilali dhe Visar Gruda.
Për t’u theksuar është se javën e ardhshme në Shkodër, organizohet një tjetër aktivitet interesant për sportin e tenisit, Turneu tradicional, “Shkodra Indoor”, i 16-të sipas radhës, ku marrin pjesë tenist nga Rajoni. (Video) Ceremonia e mbylljes së aktivitetit
Gaspër MARKU