Tërbuni udhëtoi për tre pikë në transfertën e Kuçovës përballë ekipit vendas Naftëtari. Një objektiv që skuadra e drejtuar nga Sinan Bardhi e kishte shumë pranë realizimit kur falë golave të shënuar nga Oumar Konate dhe Enez Papaj kryesonte me rezultatin 2 me 1. Por, në kohën shtesë golit të shënuar në fundin e pjesës së parë nga Brenno Godoy, iu shtua në kohën shtesë të fundtakimit edhe ai i Enti Gjishtit duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në barazim 2 me 2.
Një barazim, që mund dhe duhej shmangur nga Tërbuni, për t’u larguar me tre pikë nga Kuçova, por nga ana tjetër, duhet thënë se pika e marrë në këtë transfertë të vështirë konsiderohet pozitive. Aq më tepër, kur pas barazimit 2 me 2, vendasit kërcënuan edhe për një gol të tretë, dhe nëse nuk ndodhi kështu, merita i takon edhe portjerit të pukjanëve, Enoch Boakye.
Gjithësesi, Tërbuni e ka lënë pas këtë ndeshje dhe tashmë, që prej ditës së hënë, nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi, ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë të javës së 18-të, e cila e vë përballë një kundërshtari direkt për katërshën e parë, siç është Sopoti i Librazhdit ku luftohet për vendin e tretë. Ndeshja kjo e planifikuar të luhet të shtunën e 8 marsit duke filluar nga ora 13:00.
Pas javës së 17-të, tabelën e klasifikimit të Kategorisë së Dytë, Grupi A, e kryeson Iliria e Fushë Krujës me 42 pikë. Luzi i vogël 2008 është i dyti me 41pikë, Sopoti i treti me 40 pië, Tërbuni i katërti me 31 pikë dhe Veleçiku i pesti me 25 pikë.
Pas pesëshës së parë, e cila formon grupin e skuadrave të fazës Play-Off, vjen grupi i dytë i gjashtë skuadrave të dyta, si Besëlidhja 24, Naftëtari 22, Albanët 20, Adriatiku 2012 15, Basania 14, Gramshi 13, Murlani 1.
(Video) Përmbledhja e ndeshjes Naftëtari-Tërbuni 2-2, rastet dhe 4 golat. Kategoria e Dytë, java e 17-të, Grupi A.
Gani PEMAJ