Tërbuni-Adriatiku 2-1(Shënues: Jurgen Gjini 54’, Klesi Troshani 86/ Adhurim Hasani 90+3’)
Tërbuni: Boakie, Leka(Doçaj 67’), Papaj, Vecaj(Troshani 68’), Longe(Cani 88’), Gjini, Diabi, Këndezi, Vincent(Nika 72’), Konate(Filipi 72’), Zere.(Trajner: Sinan Bardhi)
Adriatiku: Plumbi, Domi, Mustaka(Kodra 84’), Mala(E. Mala 65’), Hasani, Torra(Ramela 81’), Mema, Elezi, Thana, Tragaj, Hoxha. Trajner: Ded Mehmeti.
Gjyqtarë: S. Kazazi, H. Lila, A. Kazazi(Kavajë)
Kartona të verdhë: Diabi 14’, Torra 58’)
Karton i kuq: Pllumbi 81’
Tërbuni ka harruar humbjen e javës së kaluar në transfertë me Ilirinë e Fushë Krujës dhe është rikthyer tek fitorja. Kjo ka ndodhur në sfidën e luajtur përballë KF Adriatiku, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës për llogari të javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë.
Një ndeshje kjo, që edhe pse e dominuar tërëisht nga ana e pukjanëve, e reflektuar kjo me rastet e shumta për shënim, ku më flagrantet ishin ato me protagonist Gjinin, Konate, Longe, etj, 45 minutat e para mbyllen në barazim me rrjeta të paprekura, 0-0.
Golat për skuadrën pukjane të drejtuar nga trajneri Sinan Bardhi do të vinin në pjesën e dytë. Fillimisht është ish futbollisti i Vllaznisë dhe i disa skuadrave të tjera të kampionatit shqiptar atij kosovar, Jurgen Gjini, i cili tund rrjetën e durrsakëve të Adriatikut në minutën e 54-të.
Tërbuni vijon të prezantojë një lojë sulmuese, ndërkohë që skuadra kundërshtare në minutën e 81-të mbetet me dhjetë futbollistë në fushën e lojës, pasi arbitri kryesor Kazazi ndëshkon me karton të kuq portjerin Pllumbi.
Qetësinë në skuadrën pukjane e sjell goli i dytë, i cili del në dritë në minutën e 86-të përmes një tjetri ish futbollisti të Vllaznisë, si Klesi Troshani. Gol ky i ardhur katër minuta nga fundi i krejt ndeshjes që duket se vulos rezultatin e krejt ndeshjes.
Megjithëatë, skuadra mike, e drejtuar nga një ish futbollist pukjan si Ded Mehmeti, e cila një javë më parë kishte mundur Basanian në transfertë 0-1, nuk dorëzohet dhe në minutën e tretë shtesë shënon në portën e Tërbunit me autor Adhurim Hasani. Gol ky që vlen vetëm për statistikë, sepse vërshëllima përfundimtare e arbitrit Kazazi mbyll të gjithë ndeshjen me rezultatin 2 me 1 në favor të Tërbunit.
Me këtë fitore, Tërbuni shkon në kuotën e 23 pikëve duke vijuar të pozicionohet në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit pas Luzit të Vogël me 32 pikë, Sopotit 31 dhe Ilirisë 30-të.
Përfshirja në listën e katër skuadrave të para të renditjes, bën që Tërbuni të jetë brenda objektivit për të siguruar konkurimin në fazën Play-Off, në kërkim të kualifikimit në kategorinë e parë.
Interesante për Tërbunin do të jetë java e ardhshme, ajo e 14-ta, ku për grupin A të Kategorisë së Dytë, do të jetë mysafir në Bushat të Shkodrës për t’u përballur me skuadrën vendase, Basania, e cila nga ana e saj, pas humbjes këtë janë në transfertë me Luzin e Vogël, e dyta radhazi në pjesën e dytë të sezonit, renditet në vendin e dhjetë të klasifikimit me 10-të, aq sa ka edhe Gramshi i vendi të parafundit, ndërkohë q ëmbyll tabelën Murlani me vetëm 1 pikë.
(Video) Pamje nga ndeshja Tërbuni-Adriatiku, 2-1. Stadiumi “Ismail Xhemali” Pukë.
Fadil HYSENI-Pukë, 3 shkurt 2025