21 vjeçarët e Vllaznisë e kanë nisur në mënyrën më të mirë fazën e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Kategorisë Superiore. 9 gola në dy përballjet e para të vitit 2022 janë tregues i një forme shumë të mirë që ka marrë skuadra shkodrane për pjesën e dytë të kampionatit.
Në harkun kohor të një jave, kuqeblutë e drejtuar nga dyshja Sibson-Borshi ka pasur rastin të luajë dy herë si pritëse në fushën e Kompleksit Sportiv “Zmijani”, fillimisht Turbinën dhe më pas Apoloninë, të cilat i ka mundur respektivisht me rezultatet 4-0 dhe 5-0.
Tre nga pesë e golat e sotëm realizuar ndaj Apolonisë janë shënuar në pjesën e parë me autor Elsaid Xhilaj në minutën e 9-të, Eraldo Deda në minutën e 13-të dhe Armir Osmani në minutën e 25-të.
Megjithë përpjekjet e miqve nga Fieri për të reaguar në 45 minutat e dyta, është përsëri Vllaznia e cila vazhdon ritualin e golave. Këtë herë me Uheidi Hoxhën në minutën e 56-të dhe më pas, katër minuta nga fundi është Joald Ivziku që shënon edhe të pestin për kuqeblutë duke vulosur fiton e thellë të Vllaznisë me rezultatin 5-0.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 24 pikëve duke kryesuar tabelën e klasifikimit të Kampionatit Kombëtar të Superiores për kategorinë U-21. Një kryesim ky me mjaft meritë i kampionatit nga formacioni kuqeblu duke dëshmuar qartazi se objektivi për fitimin e titullit kampion është në rrugën e duhur.
Dhe, jo vetëm kjo, sepse titulli nuk është objektivi i vetëm i kuqebluve, pasi stafi teknik dhe drejtuesit kuqeblu kanë synime të tjera edhe më madhore në lidhje me elementin e ri cilësor që pritet të furnizojë ekipin e parë.
(Video) Në vijim ndiqni pesë golat e shënuar në ndeshjen ndaj Apolonisë)