Ndonëse është në vitin e parë të debutimit në Superligën e futbollit të femrave, KF Murlani i drejtuar nga trajneri Arben Parmeza, po bën një prezantim shumë të mirë. Përforcimi i skuadrës me pesë brazilianet e merkatos së janarit e ka rritur ndjeshëm nivelin e skuadrës së tij, gjë që është reflektuar me rezultatet pozitive të ndeshjeve të fundit, përfshirë edhe atë me Tiranën AS, të cilën e mundi me rezultatin e thellë 7-0.
Të dielen, duke nisur nga ora 14:00, Murlani do të ndeshet me Vllazninë në kuadrin e javës së parë të fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar. Bazuar na kalendarin e FSHF-së, ndeshja në fjalë, Murlani-Vllaznia duhej të zhvillohej në fushën sportive të Barbullushit, por në mirëkuptim të të dy klubeve, ajo do të luhet në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Për trajnerin e Murlanit, Arben Parmeza, luajtja e kësaj ndeshje në “Reshit Rusi” i jep mundësi të dy skuadrave të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Ndërkohë, sa i takon sfidës me Vllazninë, njëshi i pankinës murlanase pranon se Vllaznia është Superfuqi në futbollin e femrave, por nga ana tjetër, Murlani do të bëjë një paraqitje shumë të mirë në fushën e lojës.
(Video: Arben Parmeza-Trajner i Murlanit)