Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, KF Vllaznia njoftoi marrëveshjen me trajnerin e ri, Goce Sedloski, ndërkohë që pasditen e sotme ai është paraqitur në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” duke zhvilluar seancën e parë stërvitore me skuadrën kuqeblu.
Më herët, në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” Sedloski është prezantuar me skuadrën në praninë edhe të ish trajnerit Auron Miloti, ndërkohë që në këtë fillim seance ai nuk është zgjatur, duke nisur menjëherë punën në fushë. Nga sa është parë, trajneri maqedonas Goce Sedloski ka pasur në krah bashkëkombasin e tij, Toni Meglenski, si dhe Ergi Borshin, ku së bashku me trajnerin e portjerëve Ideal Lekiqi dhe përgatitësin atletik, bullgarin Mihail Tzokov, përbëjnë stafin e ri teknik të Vllaznisë.
Së bashku me skuadrën në këtë seancë stërvitore ka qënë edhe Vioresin Sinani, i cili do të vijojë të mbajë postin e drejtorit sportiv të KF Vllaznia. Ndërkohë, që nuk është parë të jetë i pranishëm ish trajneri Auron Miloti, por që, burime pranë klubit kuqeblu, bëjnë të ditur se ai do të vijojë të jetë pjesë e KF Vllaznia, pozicioni i të cilit pritet të mësohet në ditët në vazhdim.
(Video) Seanca stërvitore e ditës së sotme e drejtuar nga trajneri i ri, maqedonasi Goce Sedloski së bashku me kolegët e tij, Toni Meglenskli, Ergi Borshi, Ideal Lekiqi, Mihail Tzokov.