Vera Burgaj, është një emër i njohur i futbollit amerikan, atje ku ka lindur dhe jeton me familjen e saj me prind shqiptarë nga Malësia e Madhe. Falë vlerave të saj si futbolliste, pak vite më parë, Vera ka luajtur për Vllazninë dhe ekipin kombëtar.
E dashuruar prej vitesh me ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë, Vera ka udhëtuar nga Amerika për të ndjekur prej së afërmi përgatitjet e Vllaznisë në prag të ndeshjeve Europiane të UEFA Champions League.
Teksa filmonte fragmente nga ndeshja ndërkombëtare e futbollit të femrave, Vllaznia-Buduçnost, zhvilluar dy ditë herët në stadiumin “Loro Boriçi”, Veriu Sport, konstatoi se në stolin e rezervave të ekipit kuqeblu përkrah stafit teknik dhe presidentit Lazër Matija, spikaste prania edhe e futbollistes shqiptaro-amerikane Vera Burgaj.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, futbollistja shqiptaro-amerikane, Vera Burgaj, bën të ditur se është shumë e pasionuar pas futbollit të femrave, duke qënë pjesë e kampionateve amerikane.
Ndër të tjera, ajo bën të ditur se ka pasur dëshirë që të jetë pjesë e Vllaznisë për ndeshjet e fundgushtit të UEFA Champions League, të cilat Vllaznia do t’i zhvillojë në stadiumin “Loro Boriçi”, por për arsye procedurash nuk e bë e mundur. Megjithatë, me shpresen se Vllaznia do ta kalojë grupin, Vera thotë se ka pranuar ofertën e presidentit Lazër Matija, për t’iu bashkuar Vllaznisë në rrugëtimin europian.
Paralelisht me futbollin, Vera ka studiuar në shkollën e lartë për fizeoterapi sportive duke vijuar të shërbejë në Michigan ku jeton me familjen e saj duke spikatur me profesionalizmin e saj në këtë sektor.
Në fund, Vera flet edhe për prindërit e saj, babai Kolë Burgaj nga Bajza dhe nëna Luçi nga Hoti, të cilët jo vetëm që nuk janë bërë pengesë për aktivizimin në futbollin e femrave në Amerikë si dhe në Shqipëri, por janë bërë shumë tifozë duke e ndjekur atë në të gjitha ndeshjet që ajo luan në kampionatin amerikan, por edhe në Shqipëri.
(Video) Prononcimin e plotë të futbollistes shqiptare-amerikane, Vera Burgaj, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU