Vllaznia-Apolonia 98-75(29-15, 30-15, 23-22, 16-23)
Vllaznia në basketboll meshkuj i ka bërë një mbyllje spektakolare fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar të Superligës. Në javën e fundit, e cila ishte edhe përcaktuese për fatin e kualifikimit në katër skuadrat më të mira të fazës Play Off, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani fituan me rezultatin e thellë 98 me 75.
Edhe pse me tre mungesa shumë të rëndësishme, kuqeblutë nuk e vunë në diskutim për asnjë moment fitoren e kësaj ndeshje, madje pati momente në periodën e tretë kur avantazhi i Vllaznisë shkoi deri në mbi 30-të pikë plus.
Fitorja e Vllaznisë gatuhet që në periodën e parë, e cila mbyllet me avantazhin e kuqebluve 29-15. Duke e fituar edhe periodën e dytë 30-15, Vllaznia shkon në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 59-30.
Me fitore e mbyll Vllaznia edhe periodën e tretë, 23-22 duke e çuar avantazhin e kuqebluve në shifrat 82-52. Avantazhi në fjalë i jep luksin trajnerit Llazani të hedhë në fushë edhe lojtarët e stolit: Edon Kuçin, Sead Koplikun, Bujar Tafen dhe Islail Shabajn, të cilët japin sinjale premtuese për stafin teknik. Një periodë kjo që fitohet nga miqtë e drejtuar nga trajneri Aldi Germau me shifrat 16-23, por duke mos frenuar fitoren e merituar të Vllaznisë me rezultatin, 98-75.
Më i spikaturi në radhët e kuqebluve në këtë ndeshje ishte Maurice Walton me 23 pikë të shënuara, 20 kërcime, 5 asistime dhe 2 topa të rrëmbyer. Një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe Elian Memçaj me 18 pikë të shënuara, 9 kërcime dhe 3 topa të rrëmbyer.
Tashmë, beteja e kuqebluve të koshit vijon në gjysmëfinalen e fazës Play Off ku kundërshtari i saj është Besëlidhja, me sfidën e parë që do të luhet më 10 prill në transfertë. Sipas rregullores, për këtë fazë janë në dispozicion pesë duele, ku ajo skuadër që arrin të fitojë tre ndeshje, kualifikohet në finale.
(Video) Vllaznia-Apolonia, 98-75. Superliga basket meshkuj. Pjesa e 2. Transmetim i Veriu Sport-me koment, si dhe prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Eni LLazani pas ndeshjes.