Ndodh për herë të parë në Shqipëri që një skuadër femrash në Futsal, merr pjesë në një Turne Ndërkombëtar. Dhe, një gjë e tillë vjen si zakonisht nga Shkodra, me të cilat lidhen historitë e lindjes së shumë sportive në këtë qytet.
Protagonist është ekipi i futbollit femra, ku presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija, ftesës të ardhur nga Italia për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë, iu përgjigj pozitivisht.
Konkretisht, bëhet fjalë për turneun shumë të rëndësishëm ndërkombëtar të Fusales që zhvillohet me datë 13 dhe 14 dhjetor në “Centi Colella” te L’ Aquila-Itali me pjesëmarrjen e katër ekipeve: Lion Futsal Club di Zurigo(Zvicër), Riga FC Ëomen(Letoni), Chornomorets Odesa(Ukrainë) dhe Vllaznia(Shqipëri).
Një përvojë kjo krejt e re për futbollistet femra kuqeblu dhe stafin e tyre, të cilat për herë të parë do të provojnë të luajnë në disiplinën e Futsallës. Jo vetëm Vllaznia, por kjo përvojë e re konkurimit në femëror në Futsall, vjen për herë të parë në Shqipëri, ku si gjithmonë Vllaznia dhe Shkodra është e para që merr iniciativa të tilla. Një përvojë kjo që pritet të jetë nismë dhe nxitje për krijimin e një Kampionati Kombëtar të Futsales për femra në Shqipëri.
Pamjet që shoqërojnë shkrimin tonë janë marrë paraditen e sotme, ku ekipi i Vllaznisë në futboll femra ka zhvilluar seancën stërvitore në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, e fundit përpara nisjes në Itali.
Përpos stafit aktual me trajnerin Niukolin Leka dhe kolegun e tij Fabiol Rexhepi, në stërvitje ka qënë edhe drejtori i Akademisë Futbollit Vllaznia, Alban Hasani, i cili ka një përvojë në këtë disiplinë, si ish trajner i kombëtares së Futsallës.
(Video) Pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë futboll femra, përpara nisjes drejt Italisë për Turneun Ndërkombëtar të Futsales.
Gaspër MARKU