Ora 20:00 e mbrëmjes së sotme shënon startin e takimit, Egnatia-Vllaznia, takim i cili do të luhet në stadiumin “Arena Egnatia”, i cili falë investimeve më të fundit, provon për herë të parë organizimin e një ndeshje në këtë orar, shoqëruar me ndriçimin prozhektorëve. Në konferencën e shtypit, dhënë një ditë para ndeshjes, tekniku gjerman i Vllaznisë, Tomas Brdariç, theksoi se pushimi i ka shërbyer për mirë ekipit të tij. Brdariç u shpreh se përballë do kenë një rival të fortë, për të cilin kanë respekt, por që nuk i tremben dhe se objektivi i Vllaznisë ngelet fitorja. Ndër të tjera, tekniku thekson se kuqeblutë i kanë mundësitë për të tentuar deri në fund fitimin e titullit dhe Kupës. Ndeshja Egnatia-Vllaznia është e vlefshme për javën e 31-të të Superiores, takim që do të luhet sot në orën 20:00 në Rrogozhinë.
Një grumbull ndeshjesh me një kalendar të ngjeshur duke nisur nga sot përballë Egnatias. Si vjen Vllaznia?
Vijmë pas një periudhe pushimi 10-ditore, ku kemi pasur mundësi të rikuperohemi, por edhe të shikojmë gabimet që kemi bërë. Kemi analizuar në çdo detaj gjithçka çfarë nuk ka shkuar mirë dhe jemi munduar t’i përmirësojmë. Uroj që kjo të reflektohet në fushën e lojës në ndeshjet e radhës. Pavarësisht se kalendari është i ngjeshur, besoj se skuadra i ka aftësitë dhe mundësitë për t’i përballuar ndeshjet me sukses, duke nisur që nga nesër (sot) kundër Egnatias, një duel që po e presim me padurim.
Mund të jetë kjo një provë para “Final 4”?
Egnatia është një ekip shumë i fortë dhe që duhet marrë shembull për nga mënyra e organizimit dhe lojës që zhvillon. Por edhe ne jemi Vllaznia, kemi futbollistë cilësorë, të cilët dinë të bëjnë diferencën. Për të shkuar deri te “Final 4”, kemi ende disa ndeshje përpara, ku duhet të pozicionohemi sa më lart në renditje, prandaj do të kërkohen vetëm fitore që nga ndeshja e radhës.
Është Vllaznia gati psikologjikisht dhe fizikisht për këtë periudhë?
Them se skuadra ka arritur gjithmonë të reagojë edhe në momentet e vështira. Tashmë jemi në një pikë ku motivimi është shumë i lartë dhe çdokush në klub është pozitiv për fitore, duke nisur nga drejtuesit, stafi teknik dhe futbollistët që duan gjithmonë suksesin. Prandaj unë besoj te kjo skuadër dhe tek ata që zbresin në fushë apo që janë edhe në stolin e rezervave.
Do ishit i kënaqur me një pikë ose çfarë do ndodhte nëse ekipi mposhtet?
Ne hymë gjithmonë në fushë për maksimumin që janë 3 pikët dhe kjo nuk ndryshon as ndaj Egnatias. Pastaj, të vjen keq kur nuk i arrin 3 pikët në fund, por ajo varet si shkon loja. Dhe, ndoshta, edhe të menaxhosh një pikë, është e rëndësishme. Ne kemi respekt për Egnatian dhe e dimë forcën e tyre, por kjo nuk na tremb aspak. Thjesht besoj se na motivon akoma më shumë për të dhënë më të mirën tonë në një duel të tillë.
“Final 4” duket i siguruar dhe ekipi po lufton për kampionat dhe Kupë. Mund të shkojë Vllaznia deri në fund për të dy trofetë?
Jemi në një pikë ku kemi bërë mirë dhe jemi në pozicion komod në kampionat. Megjithatë ka ende ndeshje për tu luajtur, përmirësuar dhe fituar pikë. Fokusi ynë shkon gjithmonë te ndeshja e radhës dhe pastaj do shohim ku mund të shkojë ekipi. Nuk ka preferenca për kampionatin apo Kupën, sepse ne duhet të mundohemi t’i shkojmë deri në fund të dyja kompeticioneve.
Sa ju kënaq aktivizimi i Jukajt dhe Dodajt me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë?
Patjetër që është kënaqësi, sepse po rriten, pavarësisht se nuk ishin pjesë e seancave stërvitore gjatë kësaj jave. Ata duhet të përmirësohen sërish, të jenë të aftë që jenë në ritëm për 90 minuta. Kanë rrugë ende përpara, por klubi është krenar për ta dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi elementë të tjerë që mund të japin kontributin për Vllazninë apo Kombëtaren shqiptare.
(Video) Prononcimin e plotë në video të trajnerit kuqeblu, Tomas Brdariç në pragndeshjen, Egnatia-Vllaznia, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.