Vllaznia përballet pasditen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” në një ndeshje tejet delikate ku nga kuqeblutë kërkohet vetëm fitore, pasi për situatën delikate në të cilen gjendet skuadra, barazimi nuk pranohet.
Humbja me Partizanin ka lënë pasoja jo të vogla në aspektin psikologjik, por ditët në dispozicion të kësaj pragndeshje, tekniku Qatip Osmani ka arritur të normalizojë situatën. Në prononcimin e dhënë gjatë konferencës së sotme për shtyp, shqiptari nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, sqaroi situatën e përfolur për një përplasje të futbollistëve në ndeshjen e kaluar me Partizanin, mungesat që do të ketë për ndeshjen me Laçin, si dhe për karikimin e skuadrës për të marrë rezultatin e duhur ndaj kurbinasve, që do të thotë vetëm tre pikëshi. “Nuk ka pasur asnjë përplasje. Ndoshta një shqetësim për atë lojë me Partizanin, por çdo gjë normale pas një loje që e humbën.
“Shikoj një shqetësim për këto rezultate që janë. Jemi munduar që me biseda individuale, me qëllim sa më të gatshëm të presim lojën me Laçin. Ato elemente që u shfaqën në lojë, i kemi punuar këto ditë. Momentalisht ekipit i duhet një qetësi maksimale për lojën me Laçin.
Ne kemi pasur shumë gabime individuale. Dhe golat që i pësuam nga këto gabime erdhën. Për mendimin tim nuk duhet t’i pësonim ato gola. Edhe kartoni i Bekim Balajt dhe lëndimet na detyrojnë të ketë ndryshime. Do të ketë, por jo shumë. Edhe Smajli dhe Mala janë lojtarë kualitativ. Megjithatë edhe këto zëvendësimet që i kemi duhet t’i përkrahim dhe të hyjmë në fushë maksimalisht të mobilizuar. Opsioni është fitorja.
Ne në fillim të pjesës së dytë, shumë herët e morëm atë golin që na çoi një hap pas. Gjatë asaj pjese u munduam të ndryshonim diçka, por nuk ia arritëm. Për nesër mendoj se qasja e pjesës së dytë, sepse kjo na ndodhi dhe me Erzenin, duhet ta kuptojmë që loja është 90 minuta dhe duhet luajtur deri në fund.
Besoj se mundësitë janë për katërshe. Vendi i katërt me të fundit janë tre pikë diferencë. Kampionati është i tillë që me një seri fitoresh merr një krah tjetër. Ne mendojmë vetëm për fitore. Laçi është një ekip taktikisht shumë i disiplinuar. Lojërat që ka humbur, nuk i ka humbur me më shumë se një gol diferencë. Megjithatë Vllaznia ka kualitet për ta fituar këtë ndeshje”, u shpreh tekniku Osmani.
(Video) Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Qatip Osmani në pragndeshjen e ditës së shtunë përballë Laçit.