Tre portjerët: Qarri, Mëhidri, Juka. Mbrojtësit: Smajli, Juriç, Stojanoviç, Beci, Hakaj, Pusi, Paloka, Brahimi, Selmani. Mesfushorët: Krymi, Boshnjaku, Alivoda, Sala, Zaganjori, Dulaj. Sulmues: Mala, Çoba, Gruda, Balaj, Delaj, Dodaj, Gomesh, Halili.
Kjo është lista e futbollistëve kuqeblu, të cilët do të ketë në dispozicion për minifazën përgatitore trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani. Futbollistët në fjalë janë parë të stërviten pasditen e së martës së 2 janarit në stadiumin “Loro Boriçi” në të parën seancë të vitit 2024.
Në krye të kësaj seance ka qënë trajneri Qatip Osmani, së bashku me kolegët e tij më të afërt, Bashkim Livoreta, Ndriçim Shtubina dhe Ideal Lekiqi. Së bashku me to në fushë, i veshur me uniformën kuqeblu, ka qënë edhe drejtori sportiv, Tefil Osmani, jo pak aktiv në momente të caktuara me zbatimin e ushtrimeve me vetë futbollistët.
Pjesë e stafit kuqebu kanë edhe dy përgatitësit atletik, Aurel Locaj dhe Fatjon Kadija, si dhe stafi mjekësor me doktor Zyhdi Çobën në krye së bashku me dy kolegët e tij, fizioterapistin Armir Dibra dhe masazhatorin Brian Ferhati.
Të gjithë këto, së bashku me stafin logjistik, Altin Nikshiqi dhe Besnik Ymeri, pasi kanë përfunduar seancën mbi 90-të minutëshe të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, janë sistemuar në autobusin e Vllaznisë duke udhëtuar drejt Ulqinit të Malit të Zi, aty, ku duke që nga nesër(e mërkurë) do të nisin minifazën përgatitore, rreth dhjetë ditore në prag të fillimit të pjesës së dytë të sezonit.
Ndeshja e parë zyrtare e vitit 2024 për Vllazninë është ajo e datës 14 janar, kur në kuadrin e javës së 19-të, pret në Shkodër, ekipin e Kukësit, për të vijuar me përballjen ndaj Erzenit në transfertë me datë 20 janar, ndërkohë që pas katër ditësh rikthehet përsëri në Shkodër për të luajtur ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me 24 janar ndaj Flamurtarit mysafir.
(Video) Vllaznia në seancën e parë stërvitore të këtij viti me datë 2 janar 2024, si dhe nisja drejt Ulqinit për minifazën përgatitore.
Gaspër MARKU