(Video) Vllaznia-Tirana, finalja emocionuese e basketit femra U18, mbyllet, 36-49. Bardheblutë shpallen kampione të Shqipërisë, 2024-2025

Vllaznia-Tirana 36-49(8-16, 8-6, 16-22, 12-2, 8-24)

Vllaznia dhe Tirana, dy skuadrat që eleminuan në gjysmëfinale, “The Roses” të Përmetit  dhe  Goga Basket të Durrësit, janë ballafaquar në finalen e Kampionatit Kombëtar të basketbollit për femra, kategoria U-18.

Ashtu edhe dy takimet gjysmëfinale, edhe sfidën finale,  Federata Shqiptare e Basketbollit e zhvilloi në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Një sfidë kjo shumë emocionuese, e cila u shoqërua me një entuziazëm të madh nga fillimi deri në fund të ndeshjes. Ndonëse Tirana e nis më mirë, teksa fiton periodën e parë, 8-16, në të dytën është Vllaznia që fiton 8-6.

Por forca reale e Vllaznisë së drejtuar nga trajnerja Ingrit Dashja dhe kolegu i saj Rajmond Rasha, shfaqet në periodën e tretë, teksa e fiton 12-3 duke marrë avantazhin pas tre periodave me shifrat 28-25.

Megjithatë, ajo që vendos është perioda e katërt, një dhjetë minutësh ky që foli tërësisht për skuadrën mike, e cila e drejtuar nga trajneri Olsi Muça, jo vetëm që barazon por përmbys gjithçka në favorin e saj duke fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin 49 me 36. Fitore kjo që e shpall kampion ekipin bardheblu për sezonin sportiv, 2024-2025.

Pas përfundimit të ndeshjes, Federata Shqiptare e Basketbollit ka organizuar ceremoninë e mbylljes së kampionatit, ku fillimisht medaljet e nënkampiones i janë dorëzuar basketbollisteve të Vllaznisë nga ana e inspektorit të Federatës Shqiptare të Basketbollit Klaudio Ndoja i shoqëruar nga Matilda Matija, pjesë e presidences së KFF Vllaznia si dhe kandidate për deputete në Parlamentin Shqiptar, ndërkohë që më pas ka ardhur momenti më emocionues, dorëzimi i trofeut për ekipin kampion të Tiranës nga ana e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, shoqëruar nga ish kryebashkiaku shkodran Bardh Spahia, kandidat për deputet në zgjedhjet e muajit maj.

Për trajneren e Vllaznisë, Ingrit Dashja, skuadra e saj ishte shumë pranë fitimit të titullit, por ana emocionale ndikoi në lojën e disa basketbollisteve të saj duke i dhënë mundësi Tiranës të përfitoj në përmbysjen e  rezultatit në favor të saj. Megjithatë, sipas Dashjes, pozitive për Vllazninë ishte sinjalet pozitive që dhanë basketbollistet e  reja duke garantuar një të ardhme të sigurt në ekipin e parë.

Ndërkohë, nga ana e tij, trajneri i Tiranës, Olsi Muça, teksa vlerësoi Vllazninë si një kundërshtar shumë të fortë, suksesi i skuadrës së tij erdhi nga kontigjenti cilësor që ka në ekip, ku një kontribut të madh në fitoren e ndeshjes finale, e dhanë sidomos lojtaret e stolit që u aktivizuan me sukses në pjesën e dytë.

(Video) Vllaznia-Tirana 36-49, finalja e KK basket femra U18. Tirana kampione. Transmetim Veriu Sport-me koment(Pjesa e dytë), si dhe prononcimi i dy trajnerëve kundërshtar, Ingrit Dashja e Vllaznisë dhe Olsi Muça i Tiranës.

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu