Brenda pesë ditëve, 17 vjeçarët e Vllaznisë të drejtuar nga trajnerët Edmond Doçi dhe Denis Zmijani bëjnë të tyre dy trofetë më të rëndësishëm të sezonit 2021-2022, fitimin e titullit kampion dhe Kupën e Shqipërisë.
Ndërsa, të shtunën e kaluar Vllaznia e Shkodrës u kurorëzua kampione e Shqipërisë duke shpartalluar në finalen e Superligës së moshave U-17, ekipin e Shënkollit me rezultatin e thellë 5-0, sot ka sfiduar në finalen e Kupës së Shqipërisë, Durrësin 04.
Realisht, ka qënë një finale dramatike kjo e sotmja për Kupën e Shqipërisë për kategorinë e Superligës U-17 në mes Vllaznisë dhe Durrësit 04. Sfida e luajtur në fushën e Kompleksit Sportiv, Internacional Tirana, duke nisur nga ora 17:30 është pritur me shumë interes nga opinion sportiv.
Në kampin kuqeblu kishte shumë optimizëm në pragndeshje, që edhe këtë finale do ta mbyllnin me sukses për të bërë pronë të tyrin trofeun e dytë më të rëndësishëm të sezonit pas kampionatit kombëtar.
Por, në ndryshim nga finalja e kampionatit ku fituan me rezultat të thellë, takimi i sotëm kishte më shumë rivalitet. Plot 80-të minuta lojë janë shoqëruar me rezultatin e barabartë 0-0. Në të 81-tëm ka qënë skuadra durrsake që ka shënuar golin e avantazhit me autor Luan Lleshin.
Pikërisht, atëherë kur Durrësi 04 po përgatitej për festë, në minutën e 90-të, arbitri akordon penallti për Vllazninë, të cilën e shndërron në gol Kevin Dodaj. Barazim, 1 me 1, dhe më pas, sipas rregullores së FSHF-së, për të përcaktuar ekipin fitues nuk ka shtesë, por direkt në gjuajtjen e penalltive.
Për Vllazninë, gjuajtjet e Dodajt, Kubazit, Halilit, Shimajt dhe Zaganjorit janë të sakta duke përfunduar në rrjetën e portjerit durrsak, ndërkohë që skuadra kundërshtare humbet penalltinë e dytë.
Kësisoj, Vllaznia e Shkodrës është fituese e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2021-2022. Një bravo e madhe për të gjithë futbollistët dhe stafin teknik të kryesuar nga trajneri Edmond Doçi.
Gaspër MARKU
(Video): Vllaznia U-17, fiton me penallti Kupën e Shqipërisë 2022, penalltitë e fundit të ndeshjes. Fotot dhe video realizuar nga bashkëpunëtori ynë, Art Kaca