Që prej paradites së 2 janarit 2026, kuqeblutë e Vllaznisë kanë lënë qytetin e Shkodrës për t’u instaluar në Ulqin të Malit të Zi ku po zhvillojnë minifazën përgatitore dimërore.
Me një program të ngjeshur me nga dy seanca stërvitore në ditë, dyshja Martini-Sinani, së bashku me pjesën tjetër të stafit teknik po shfrytëzon në mënyrën më të mirë këto ditë që kanë në dispozicion për të karikuar skuadrën në prag të startit për pjesën e dytë të sezonit futbollistik 2025-2026.
Edhe pse kushtet e motit në këtë fillim viti kanë qënë problematike me reshjet e dendura të shiut, shoqëruar edhe me përmbytje, falë kushteve ideale që afron kompleksi Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin, skuadra nuk ka humbur as edhe një minutë për konsumimin në mënyrën më të mirë të proçesit stërvitor.
Nëse në ditët e para, ngarkesat fizike kanë qënë të larta, duke filluar prej së martës së sotme, në program ka filluar aplikimi me nga një seancë stërvitore në ditë.
Ndërkohë, gjithnjë nga programi i hartuar prej stafit teknik, edhe tre ditët e tjera të qëndrimit në Ulqin(e mërkurë, e enjte dhe premte), do të vijohet me nga një seancë në ditë. Seanca këto, që krahas elementëve atletik dhe fizik, përqëndrimi kryesor do të fokusohet në anën teknike dhe taktike.
Edhe pse dëshira e stafit ka qënë për zhvillimin e një ndeshje miqësore, mungesa e skuadrave malazeze në kampingun ulqinak, pasi minifaza përgatitore për to nis më vonë, një gjë të tillë drejtuesit kuqeblu po e kompensojnë me përballje mes vedit.
Nga sa bëhet e ditur, seanca e fundit stërvitore në kompleksin Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin do të jetë ajo e paradites së premte, ku menjëherë pas pas është programuar kthimi në Shkodër në mënyrë që skuadra të jetë gati për ballafaqimin zyrtar të Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia pret në stadiumin “Loro Boriçi”, Pogradecin për fazën e 1/8.
(Video) Pamje nga proçesi stërvitor i Vllaznisë në kompleksin Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin.



