(Video) Volej Femra-Vllaznia fiton me Dinamon, por mbetet në vendin e 7-të dhe jashtë fazës Play Off. Mbijetesa në Superligë me ndeshje Play Out

Vllaznia-Dinamo 3-1(20-25, 25-23, 25-21, 25-20)

Vllaznia në volejboll për femra ka dalë fituese në përballjen me Dinamon, ndeshje e luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, e vlefshme për javën e fundit të fazës së dytë të Superligës së femrave.

Rezultati, 3 me 1 në favor të skuadrës kuqeblu të drejtuar nga trajnerja Nora Deda ishte i merituar, por realisht fitorja në fjalë nuk i vlejti aspak Vllaznisë, sepse duke u renditur në vendin e shtatë të klasifikimit, e parafundit në klasifikim, duke lënë pas vetëm Barleti Volej, ka mbetur jashtë zonës së fazës finale Play Off.

Një renditje kjo, që në fakt duket se nuk është reale për Vllazninë, e cila me lojrat cilësore të zhvilluara gjatë kampionat, kishte në objektiv përfshirjen në katër skuadrat më të mira. Por, gabimet gjatë rrugës, sidomos në fazën e dytë, ndikuan në mbetjen jashtë zonës finale Play Off.

Madje, jo vetëm që nuk u arrit Play Off-i, por për të mbijetuar në kategorinë e Superligës së volejbollit të femrave, Vllaznisë i duhet të luajë një ndeshje suplementare Play Out me skuadrën e vendit të dytë të kategorisë së parë.

Sa për statistikë, sfidën e javës së fundit me Dinamon, Vllaznia nuk e nisi aspak mirë kur humbi setin e parë me shifrat 20-25, por më pas arriti të marrë tre sete radhazi, 25-23 të dytin, 25-21 të tretin dhe 25-20 të katërtin, duke e mbyllur me fitore krejt ndeshjen me shifrat e seteve, 3-1.

(Video)  Ndeshja Vllaznia-Dinamo 3-1. Superliga volejboll për femra. Transmetim me koment nga Veriu Sport.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu