Vllaznia-Teuta 1-3(21-25, 23-25, 25-16, 19-25)
Vllaznia dhe Teuta janë përballur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në kuadrin e javës së gjashtë të Kampionatit Kombëtar të volejbollit për femra. Të dy ekipet vinin në këtë ndeshje me nga një fitore dhe katër humbje, por me durrsaket në vendin e pestë me 4 pikë dhe Vllaznia në vendin e fundit me 3 pikë.
Ndaj ishte arsyeja që këtë duel, të dyja skuadrat skuadrat kërkonin fitore për të dalë nga kriza e rezultateve.
Mikeshat nga Durrësi të drejtuara nga trajneri Edmond Jazexhi e nisin më mirë ndeshjen teksa fitojnë setin e parë me shifrat 21-25. Në të dytin, Vllaznia është shumë pranë fitgores, por disa gabime në pritjen e topit të parë dhe luftën në rrjetë e ndëshkojnë në dy pikët e fundit duke u mundur përsëri, këtë radhë me shifrat 23-25.
Ndërhyrja e trajneres Nora Deda bën që skuadra e saj të ketë një përmirësim të dukshëm në setin e tretë, të cilën arrijnë ta fitojnë me shifrat 25-16.
2 me 1 në favor të Teutës është rezultati pas setit të tretë, duke i lënë radhën setit të katërt, i cili është edhe vendimtari për fatet e takimit. Vllaznia lufton për ta fituar atë dhe ta çojë ndeshjen me set final, ndërsa Teuta për ta mbyllur ndeshjen 1 me 3.
Ndonëse e filluan mirë këtë setë, volejbollistet e Vllaznisë bien përsëri në gabime elementare, gjë që përfiton teuta, e cila fiton setin e katërt, 19-25 dhe të gjithë ndeshjen, 1 me 3.
Humbje kjo që e ka lënë shumë të pakënaqur trajneren e Vllaznisë Nora Deda, e cila pas ndeshjes do të deklaronte dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës.
Deklarata e trajneres Nora Deda:
Nga ky moment ju bëj me dije, duke falenderuar Bashkinë deri më sot për ndihmesën që ka dhënë në afrimin e lojtareve të huaja, ju bëj me dije se Nora Deda jep dorëheqjen. Nuk ia vlen me u lodhë më, jam konsomuar nga ana individuale, nga ana profesionale, nga ana njerëzore, kam ba maksimumin. Faleminderit Bashkisë deri më sot, e ndjej të jap dorëheqjen.
Finale ky vendim, e keni menduar mirë?
E kam menduar mirë.
Nuk ka kthim prapa, nëse Bashkia ju kërkon të qëndroni?
Kaq kam për sot.
(Video) Prononcimin e plotë të dorëqejen nga drejtimi i Vllaznisë i trajneres Nora Deda, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar: Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU