Vllaznia-Elbasani 3-0(25-20, 25-15, 25-19)
Vllaznia dhe Elbasani në volejboll për meshkuj janë përballur mbrëmjen e sotme në kuadrin e javës së tretë të Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja kanë dalë fitues me rezultatin e pastër 3-0.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës është dominuar tërësisht nga Vllaznia, e cila ka komanduar që nga fillimi dhe deri në fund duke triumfuar në të tre setet përkatës.
25-20 ishin shifrat e setit të parë në favor të Vllaznisë. I dyti ka një superioritet edhe më të madh nga ana e kuqebluve, të cilët e fitojnë me shifrat 25-15.
Vllaznia kryeson edhe në setin e tretë, por nga ana tjetër, me dy pushimet e marra, trajneri i Elbasanit Eduart Çeta bën të gjitha përpjekjet për ta mbajtur skuadrën në lojë. Këmbëngulja e miqve është për të marrë setin e tretë dhe të rihapin ndeshjen, ndërkohë që kuqeblutë janë të vendosur që ta mbyllin 3-0.
Elbasani mbërrin deri tek pika e 19-të, por më pas janë kuqeblutë të cilët shënojnë radhazi pikët e fundit duke e fituar këtë set 25-19 dhe të gjithë ndeshjen me sete 3-0.
Kjo ishte fitorja e dytë e Vllaznisë në Kupë në tre takime, ndërkohë që Elbasani regjistron humbjen e tretë radhazi.
Përpos rezultatit, ajo çfarë ra në sy në këtë ndeshje ishte spikatja e elementit të ri, ku tek Vllaznia pasuesi Sead Durro mori duatrokitje nga tifozëria shkodrane për formën shumë të mirë që paraqiti në fushën e lojës. Ndërkohë, që në radhët e Elbasanit, vlerësime pozitive mori numri 1, Andi Hila, i cili sipas trajnerit Eduart Çeta, ka vetëm tre muaj që është bërë pjesë e skuadrës.
(Video) Ndeshjen Vllaznia-Elbasani volej meshkuj(3-0), si dhe prononcimet e dy trajnerëve kundërshtarë, Artan Kalaja(Vllaznia) dhe Eduart Çeta(Elbasani), mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


