Pogradeci-Vllaznia 3-2(28-26. 22-25, 17-25, 25-20, 15-9)
Janë rikthyer këtë fundjavë ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të volejbollit për kategorinë e Superligës së Femrave. Ndeshja e parë e fazës së dytë për Vllazninë ishte në transfertë me Pogradecin, skuadër kjo e drejtuar nga trajneri shkodran, Besnik Lisha.
Sfida e luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit të Pogradecit është shoqëruar me një rivalitett të dukshëm, ku të dy skuadrat kishin objektiv fitoren.
Një rivalitet i tillë është pasqyruar që në setin e parë, ku për të përcaktuar ekipin fitues janë dashur pikët shtesë, ku me shifrat 28-26 fitues del skuadra pogradecare.
Edhe pse e humb setin e parë, ndër të tjera edhe për mungesë fati, Vllaznia e drejtuar nga trajnerja Nora Deda gjen forca për të dhënë kundrapërgjigjen e duhur.
Në setin e dytë, volejbollistet kuqeblu fitojnë me shifrat 22-25 duke e barazuar rezultatin e seteve në 1 me 1. Loja e mirë e Vllaznisë vijon edhe në setin e tretë, të cilën e fitojnë më me lehtësi, me shifrat 17-25 duke marrë udhëhqjen e rezultatit me sete, 1-2.
Në setin e katërt, Vllaznia lufton fort për ta fituar, gjë që do ta bënte fituese të krejt ndeshjes 1 me 3, por volejbollistet pogradecare arrijnë të fitojnë 25-20 duke barazuar me sete 2-2.
Fati i kësaj ndeshje shkon për tu vendosur me set final, set i cili, falë edhe mbështetjes së tifozërisë vendase, flet më mirë për skuadrën pogradecare, e cila duke e fituar atë me shifrat 15-9, fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-2.
(Video) Pamje nga ndeshja e volejbollit femra, Pogradeci-Vllaznia, 3-2. Kampionati i Superligës.
Tonin FRROKU-Pogradec, 31 janar 2025