Vllaznia-Teuta 1-3(22-25, 25-23, 15-25, 24-26)
Formacioni i Vllaznisë: Nicole Cico, Marjana Ndou, Edna Erkoçi, De Souza Barbosa, Madilyen Batiste. Elira Rukaj, Brikena Bashaj, Melisa Sinani, Jada Stakhouse, Ania Stefani, Raisa Ceraj, Laura Ballçiti, Uerda Kopliku. Trajner: Dorjan Tafa.
Gjyqtarë: Edison Kurti, Kastriot Tota
Vllaznia dhe Teuta në volejboll për femra janë përballur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” në një ndeshje shumë të rëndësishme, e cila ishte përcaktuese për vendin e gjashtë të tabelës së klasifikimit, pozicioni ky i fundit për t’u përfshirë në fazën finale Para Play-Off, sepse më herët, Pogradeci, Dinamo, Tirana, Skënderbeu dhe Partizani e kanë siguar një gjë të tillë.

Por, jo vetëm kaq, sepse skuadra që humbiste, jo vetëm që humbiste mundësinë e luajtjes në Para Play-Off, por rrezikon rënien nga Kategoria Superiore, sepse për të qëndruar duhet të luajë në Play-Out me vendin e dytë të Kategorisë së Parë.
Ishte kjo arsyeja që trajneri kuqeblu Dorjan Tafa e kishte karikuar maksimalisht skuadrën e tij në kërkim të një fitoreje të mundshme, gjë të cilën e kërkoj fort, por në fund nuk ia arriti qëllimit duke u mundur me rezultatin 1 me 3.
Përpos setit të tretë që u fitua nga durrsaket lehtësisht 15 me 25, të tjerët janë shoqëruar me një rivalitet të madh.
I pari është fituar nga Teuta 22-25, ndërsa i dyti nga Vllaznia me shifrat 25-23, ndërkohë që i katërti ka qënë më i luftuari dhe më emocionuesi i krejt takimit.
Set ky, që niset më mirë nga Teuta që krijon shkëputjen, por reagimi i Vllaznisë bën që disavantazhi të rikuperohet duke u regjitruar disa barazime radhazi, madje në pikët vendimtare Vllaznia është më afër fitores.
Por, në pikët shtesë, durrsaket e drejtuara nga trajneri Edmond Jazexhi tregohen më të sakta duke fituar 24-26, dhe të gjithë ndeshjen me sete 1 me 3.
Vllaznia e mbyll kështu kampionatin në vendin e shtatë të renditjes me 9 pikë duke lënë pas vetëm Korabin e vendit të fundit me 0 pikë, skuadër e cila bie automatikisht një kategori më poshtë.
Për t’u larguar nga Superliga rrezikon edhe Vllaznia, e cila për të qënduar i duhet të sfidojë Studentin e vendit të dytë të Kategorisë së Parë me dy ndeshje, e para në kryeqytet dhe e dyta në Shkodër.
Një mbyllje e kampionatit aspak dinjitoze për Vllazninë e volejbollit femra, e cila edhe pse arriti të ketë në skuadër deri në pesë volejbolliste të huaja, të cilat për hirë të së vertetës nuk është se bënë diferencen, për trajnerin Tafa, ndikuan mungesat e titullareve shkodrane, të cilat e detyruan të aktivizojë edhe vajza të reja 13-vjeçare në formacion.
(Video) Ndeshja Vllaznia-Teuta volejboll femra(Dy setet e parë dhe seti i katërt), si dhe prononcimet e trajnerëve Dorjan Tafa(Vllaznia) dhe Edmond Jazexhi(Teuta).
Gaspër MARKU


