Vllaznia-Skëndërbeu, 3-2(25/23, 25/18, 25/27, 22/25, 15/11)
Gjyqtarë: Enri ZENULLARI-Edison KURTI. Vëzhgues i FSHV: Arian FUSHA
Mbi dy orë luftë e fortë sportive, e shoqëruar me plot rivalitet dhe emocione pa fund, është dashur për të përcaktuar fituesin e çiftit Vllaznia-Skënderbeu në volejboll për meshkuj. Takimi në fjalë, i vlefshëm për javën e tretë të fazës së grupeve u luajt pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës duke vënë përballë njëra tjetrës dy skuadra që vinin pas fitoreve të javës së dytë, kuqeblutë ndaj Elbasanit në transfertë dhe korçarët ndaj Tiranës.
Rivaliteti dhe emocionet e kësaj ndeshjeje shfaqen që në setin e parë, i cili kishte për kryesues herë Vllazninë dhe herë Skënderbeun. Në fund është Vllaznia më pranë fitores kur udhëheq 23 me 22, por korçarët barazojnë në 23-23 duke e vënë në pikpyetje të plotë fituesin e këtij seti. Megjithatë, kuqeblutë e drejtuar nga tekniku Artan Kalaja arrijnë të shënojnë dy pikët vendimtare duke e mbyllur me fitore 25-23.
Rivaliteti vijon edhe në setin e dytë, por këtë radhë superioriteti i kuqebluve është më i dukshëm duke bërë që fitorja e këtij seti të jetë më e dukshme , 25-18. Avantazhi me sete 2 me 0, krijoi idenë se Vllaznia do të vijoi të jetë e tillë edhe në setin e tretë me synimin për ta mbyllur të gjithë ndeshjen me fitoren e pastër 3-0.
Por, volejbolli jo pak herë ka treguar se ka surpriza në përmbysje. Edhe pse kuqeblutë i afrohen shumë pranë këtij objektivi, korçarët arritën të barazojnë në pikët vendimtare duke bërë që seti të vendoset në pikët shtesë. 25-27 mbyllet ky set në favor të korçarëve, të cilët rihapin takimin.
2 me 1 për Vllazninë gjendja e seteve, bën që seti i katërt të jetë shumë i dyluftuar. Vllaznia për të mbyllur ndeshjen 3-1, ndërsa Skënderbeu për të barazuar 2-2 dhe për ta çuar ndeshjen me set final. Ndodhë kjo e dyta, ku korçarët fitojnë 22-25 dhe barazim 2 me 2.
Seti i pestë rikthen në fushën e lojës përsëri një Vllazni potente ashtu si në dy setet e parë, e cila e udhëhequr nga kapiteni Nikolin Qafarena, më i miri në fushën e lojës, por i mbeshtëtur edhe nga kolegët e tij Fatjon Çekini, Visar Lleshi, Gersi Jula. Gledis Lloshi, Endri Jukni, dy të rinjtë e talentuar Marjo Lugaj dhe Viktor Bazhdari, si dhe pjesëarët e tjerë të skuadrës, Gentjan Curraj, Mateo Qeseri, Sead Durro, Enid Daniku, ia dalin mbanë duke fituar setin e pestë 15-11 dhe të gjithë ndeshjen, 3-2.
(Video) Ndeshja, Vllaznia-Skënderbeu 3-2, si dhe prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Artan Kalaja.