Vllaznia-Studenti 1-3(26-24, 20-25, 20-25, 16-25)
Vllaznia e volejbollit për meshkuj e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja, e ka mbyllur me humbje javën e fundit të Kampionatit Kombëtar të Superligës për meshkuj, teksa është mundur në shtëpi nga Studenti me rezultatin, 1-3.
Por, ndryshe nga ekipi i femrave, i cili u rendit në vendin e shtatë duke mbetur jashtë zonës Play Off, kuqeblutë e rrjetës për meshkuj janë mes skuadrave të fazës Play Off.
Madje, duhet thënë se të dyja skuadrat, si Studenti mysafir dhe Vllaznia vendase, ishin të kualifikuar në fazën Play Off, pavarësisht rezultatit të kësaj ndeshje.
Megjithatë, kjo nuk i pengoj dy formacionet kundërshtare të zhvillonin një ndeshje luftarake, e cila ishte edhe si një tip testi për ndeshjet finale të fazës Play Off, të cilat do të fillojnë së shpejti, dhe për kuqeblutë, kundërshtari është Tirana.
Seti më i bukur i kësaj ndeshje ka qënë i pari, pasi si rezultat i rivalitetit dhe luftës së fortë sportive, u deshtën pikët shtesë për të përcaktuar fituesin. Dhe, ai ishte Vllaznia, që me shifrat 26-24, del fituese e këtij seti.
Fitorja e këtij seti për kuqeblutë me pikët shtesë u duk se do të shërbente si motivim për të vijuar me të njëtin ritëm edhe në setet e tjerë dhe për ta mbyllur me fitore këtë ndeshje. Por ndodhi e kundërta, sepse universitarët e Studentit të drejtuar nga trajneri Kestrin Batalli, duke qënë dominues në fushën e lojës arrijnë t’i fitojnë të tre setet e tjerë radhazi, 20-25, 20-25 dhe 16-25, duke dalë fitues të të gjithë ndeshjes me rezultatin 1 me 3.
Për t’u theksuar është se në setin e katërt, tekniku Kalaja, aktivizoi në fushën e lojës elementin e ri, duke filluar nga pasuesi Sead Durro, për të vijuar me Mateo Qeseri, Viktor Bazhdari, Mario Lugaj, të cilët morën duatrokitje nga publiku në pallatin e sportit “Qazim Derishi” i Shkodrës duke dhënë një garanci për të ardhmen e tyre në radhët e skuadrës kuqeblu.
(Video) Ndeshja, Vllaznia-Studenti, Superliga volej meshkuj, 1-3. Transmetim i Veriu Sport, me koment.