Wednesday, January 7, 2026

(Video) Zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e SHRF Elbasan, Ilirjan File rizgjidhet kryetar

Lexo

- Reklamë -spot_img

U zhvilluan sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, ku morën pjesë 29 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 31 delegatë, të cilët diskutuan dhe miratuan çështjet kryesore të rendit të ditës, ku më e rëndësishmja ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Elbasan për katërvjeçarin e ardhshëm.

Komisioni i Verifikimit, që është organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se komisionit i është paraqitur vetëm një kandidaturë për Kryetar, konkretisht kërkesa për rikandidim nga z. Ilirjan File, i propozuar nga 21 anëtarë të shoqatës.

Pas votimit, Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, me unanimitet të plotë, vendosi të zgjedhë Kryetar të SHRF Elbasan z. Ilirjan File me mandat 4 (katër) vjeçar.

Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, Kryetari i SHRF Elbasan, Ilirjan File, i falënderoi të gjithë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e futbollit, mbështetjen e klubeve dhe për krijimin e mundësive të reja për talentet e rinj.

Së pari, dua të falënderoj çdo njëri prej jush për besimin dhe mbështetjen që më dhatë duke më rizgjedhur si Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan. Ky është një moment i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë komunitetin e futbollit në rajonin tonë.

Ky mandat nuk është vetëm një përgjegjësi e madhe, por dhe një mundësi për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në rajonin tonë. Unë e kuptoj rëndësinë e këtij posti dhe do të angazhohem të sjell përmirësime dhe për të punuar në mënyrë transparente dhe të hapur me të gjitha klubet dhe anëtarët tanë.

Kam besim të plotë që së bashku do të mund të përballojmë sfidat dhe do të arrijmë objektivat tona. Do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e futbollit, për mbështetje për klubet tona dhe për krijimin e mundësive të reja për talente të rinj”, – tha Ilirjan File.

Gjatë punimeve, u miratuan pasqyrat financiare, buxheti për vitin 2026, si edhe u zgjodhën delegatët në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, që janë z. Ilirjan File, z. Julian Cota dhe z. Anxhelo Suta.

Në rendin e ditës ishin edhe propozimet për kandidatë për President të FSHF-së dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Anëtarët e shoqatës kanë propozuar si kandidat z. Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, që u votua nga të gjithë anëtarët e shoqatës gjatë punimeve të asamblesë.

Gjithashtu, anëtarët e shoqatës kanë të drejtë të propozojnë një kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan vendosi të miratojë propozimin e z. Abdyl Kuriu si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img