Basketbollistët e Vllaznisë vazhdojnë përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të kampionatit që i përkasin fazës së dytë, ndërkohë që janë në pritje të ndeshjeve të fazës finale Play Off.
E para është ajo që do të luhet mbrëmjen e së premtes në kryeqytet përballë Partizanit. Një ndeshje kjo që kuqeblutë e kanë vlerësuar seriozisht, pasi me rezultatin e saj lidhet edhe vetë renditja dhe kalendari i ndeshjeve të fazës Play Off.
Gjatë periudhës së fundit, Vllaznia e basketbollit për meshkuj nuk ka gjetur qetësi në lidhje me trajnerët, sidomos ato të huaj që janë larguar nga drejtimi i skuadrës. Së fundmi, në krye të skuadrës së basketbollit meshkuj është vënë Damian Bekteshi, aktualisht basketbollist në gjirin e skuadrës, por që presidenca i ka besuar drejtimin e skuadrës. Dhe, një gjë të tillë, Bekteshi, po e bën në mënyrën më të mirë.
Pozitive për opinionin sportiv shkodran është se trajneri Bekteshi po i jep më shumë hapësirë basketbollistëve shkodran dhe elementit të ri.
Krahas ndeshjes të së premtes me Partizanin në transfertë, përpara se të shkojnë në ndeshjet e Play Off-it, Vllaznia ka për të luajtur edhe një ndeshje tjetër të prapambetur me ekipin durrsak, Teuta.
(Video: Pamje nga seanca stervitore e Vllaznisë në pragndeshjen me Partizanin)