“Mirënjohje” për kontributin e dhënë si futbollist i formacionit titullar të Vllaznisë kampione dhe fituese të Kupës së Shqipërisë së viteve 70-të. Eshtë ky vlerësimi që kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia zgjodhi t’i dorëzojë në ditën e lindjes ish mesfushorit të Vllaznisë Çesk Ndoja.
Megjithëse u shkëput herët nga sporti, Ndoja la gjurmët e tij krah emrave të shquar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. I lindur në Shkodër më 14 shkurt 1949, ai e nisi futbollin që në moshë të vogël tek shtëpia e pionerit me trajner, të mirënjohurin Ernest Halepjani.
“Në 74-vjetorin e lindjes, pata kënaqësinë të uroja dhe njëkohësisht t’i dorëzoja vlerësimin e “Mirënjohjes”, ish mesfushorit të Vllaznisë Françesk Ndoja.
I përket një brezi të artë që shënuan historinë e futbollit shkodran të viteve 70-të, pasi i dhuruan Vllaznisë titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Janë një model frymëzues për brezin e ri dhe padiskutim që vlerësimi i të tilla figurave është privilegj. Shkodra i ka dhënë aq shumë sportit shqiptar dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohjës ndaj këtyre personaliteteve.
Duke vlerësuar dhe përkujtuar figurat që bënë histori në sport, kemi dashur të përcjellim edhe një mesazh të fortë për brezin e ri, që investimi në sport është zgjedhja më e mirë për një rini të shendetshme e larg problemeve.”, tha ndër të tjera kryebashkiaku, Bardh Spahia, gjatë dorëzimit të titullit për kampionin, Ndoja.
I emocionuar për vlerësimin që iu bë nga ana e Bashkisë Shkodër, vetë veterani i futbollit Çesk Ndoja, falenderoj institucionin e Bashkisë dhe konkretisht kryetarin Bardh Spahia për nderin që iu bë. Ndër të tjera, ai tha, se ky titull shkon për të gjithë shokët e tij me të cilët ai luajti gjatë viteve 70-të, duke i dhuruar tifozëve shkodranë disa trofe.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Drejtori i Drejtorisë së Sporteve në Bashkinë Shkodër, Alban Hasani, familjarë të veteranit të futbollit Çesk Ndoja, gazetarë sportiv, si dhe disa prej kolegëve të fushës së lojës, mes të cilëve, dy prej tyre, Ismet Hoxha dhe Almet Meta, folën me vlerësim dhe konsideratë për kolegun e tyre, jo vetëm si futbollist, por edhe në jetën e përditshme.
Çesk Ndoja ka luajtur në rolin e mesfushorit të djathtë por edhe në atë të ekstremit (sulmuesit) të majtë, në periudhën kur u dëmtua Medin Zhega dhe ai shkoi në Rumani për t’u rikuperuar. Ndoja e ka lanë sportin në vitin 1977 kur ishte vetëm 28 vjeç dhe kishte ende shumë për t’i dhënë futbollit.
(Video) Ceremonia e dhënies së titullit “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër, për ish futbollistin kampion të Vllaznisë së viteve 70-të, Çesk Ndoja)
Gaspër MARKU