Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve ndaj Norvegjisë dhe Kosovës, sfida të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.
Skuadra, nën drejtimin e teknikut Armir Grima ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore ditën e sotme, në kompleksin “Tropikal” në Durrës.
Dy ditë më parë, trajneri kuqezi shpalli listën me 22 futbollistet e grumbulluara për këto dy ndeshje, teksa ditën e sotme dha edhe një prononcim për fshf.org, në prag të këtyre sfidave.
Grima u shpreh fillimisht se gjendja e ekipit nuk është ajo maksimalja, por shpreson që skuadra t’i përballojë me sukses ndeshjet. “Jemi grumbulluar që dje në stërvitje. Mendoj që nuk është gjendja maksimale e mirë e vajzave, por besoj që këto dy ndeshje do t’i përballojmë me sukses”.
Më tej, ai foli edhe për listën e futbollisteve të grumbulluara për këto sfida, teksa theksoi se grupi nuk është i plotë. “Besojmë te këto vajza që kemi grumbulluar. Do ishte mirë që t’i kishim të gjitha të gatshme, por mospajisja me pasaportë e dy vajzave besoj që na penalizon. Shpresoj që deri në ditën e ndeshjes këto vajza të pajisen dhe grupi të ishte më i plotë, në të kundërt do të vazhdojmë me këto vajza, tek të cilat besojmë”.
Armir Grima foli edhe për dy kundërshtaret e Shqipërisë në këto dy ndeshje, ku vlerësoi maksimalisht Norvegjinë, duke theksuar se skuadra kuqezi do të japë maksimumin. Sa i përket ndeshjes me Kosovën, Grima tha se ekipi do të shkojë vetëm për fitore. “Norvegjia, së bashku me disa skuadra të tjera është maja e futbollit europian për femra. Është një kundërshtar shumë i fortë, gjithsesi ne japim vlerësimin sa i takon dhe do mundohemi të kemi një paraqitje dinjitoze, ashtu siç kemi pasur edhe në ndeshje të tjera me kundërshtarë të fortë. Do përballemi me dy ndeshje të forta, pasi nuk mund të veçoj Kosovën dhe shpresojmë të shkojmë me sukses. Kosova dhe Armenia janë ekipe që janë poshtë nivelit tonë dhe shpresoj mos të kemi penalizime me kartona ose dëmtime dhe ne shkojmë veç për fitore në Kosovë”.
Në fund, trajneri i vajzave kuqezi foli edhe për rritjen që ka pasur Shqipëria, teksa uron të vazhdohet me këtë ritëm dhe të mos penalizohet nga disa faktorë. “Jemi rritur me pikë në renditjet e UEFA-s dhe FIFA-s, por problemi është që nuk jemi në momentet më të mira. Kemi probleme me dëmtimet, me pashaportat, me disa vajza që e kanë lënë futbollin dhe të gjitha ndikojnë te ne. Megjithatë, mendoj se jemi mirë dhe uroj të vazhdojmë me këtë ritëm”.