Në momentin e prezantimit të stafit të ri teknik të Vllaznisë, kur emri i Vioresin Sinanit nuk bënte pjesë në listë, u krijua përshtypja se ai nuk do të ishte më pjesë e klubit kuqeblu. Por, nuk ka vonuar dhe në prononcimin e dhënë për mediat, Presidenti Alban Xhaferi qartësoi se Sinani është pjesë e rëndësishme klubit kuqeblu dhe do të jetë pjesë e drejtimit në ekipet e Akademisë Vllaznia.
Dhe, një gjë e tillë tashmë është bërë zyrtare duke i besuar goleadorit shkodran drejtimin e 21 vjeçarëve të Vllaznisë. Një pozicion ky mjaft i rëndësishëm pasi ka të bëjë me trajnimin e një grupi i cili është ndërmjetës dhe i destinuar për skuadrën e parë, gjë që u pa konkretisht aktualisht edhe në këtë prag sezoni edhe me kalimin e një kontigjenti futbollistësh nga ky ekip tek skuadra e parë.
Ndërkohë, me të marrë emërimin, që nga kjo fillimjavë, Sinani ka nisur menjeherë nga puna me skuadrën duke zhvilluar seancën e parë stërvitore në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”.
Duke pasur në krah zëvendëstrajnerin Malvin Mëcerovi dhe trajnerin e portjerëve Elis Dervishi, në seancën e parë stërvitore trajneri Sinani ka pasur në dispozicion 20 futbollistë. Futbollistë këto, një pjesë nga skuadra e sezonit të kaluar duke shtuar edhe ardhjet e reja nga skuadra U-19.
Nga sa bëhet e ditur, drejtuesit e klubit kuqeblu këtë sezon dhe në vazhdimësi kanë vendosur të kenë një strategji krejt ndryshe nga vitet e kaluara duke i kushtuar një vemendje të madhe elementit të ri. Një gjë e tillë është parë edhe tek skuadra e parë, ku ndërtimi i saj po bëhet mbi bazat e elementi të ri, gjë që do të shtrihet edhe në sektorin e Akademisë të të gjitha grupmoshave, por që patjetër vemendja kryesore do të jetë tek 21 vjeçarët si dhe tek dy skuadrat e një niveli moshash më të re, U-19 dhe U-17.