Kukësi-Laçi 1-0 (Shënues: Abdou 64’)
Ka mjaftuar një gol i Abdou që Kukësi të mund Laçin me rezultatin 1-0 duke marrë kështu tre pikë të “arta” që vlejn shumë për lagimin nga fundi i tabelës së klasifikimit. Ndeshja e luajtur në në stadiumin “Kukës Arena” kishte edhe një të veçantë, pasi autori i golit u aktivizua nga stoli, dhe sapo u fut në fushën e lojës arriti të ndëshkonte kurbinasit me një gol që qëndroi në fuqi deri në fund të ndeshjes.
Parë në tërësi, Kukësi-Laçi ishte një ndeshje e ekuilibruar, sidomos në pjesën e parë, me shumë pak raste. Të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme, sidomos në fazën mbrojtëse, më shumë menduan për të mos pësuar. Goli i verilindorëve erdhi në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 64-ët me protagonist Abdou, i cili kishte vetëm dy minuta që ishte aktivizuar në vend të Hasajt të dëmtuar, por të mjaftueshme për të treguar veten si protagonist.
Një harkim nga e djathta e sulmit dhe Abdou, duke përfituar dhe nga pakujdesia e mbrojtjes kurbinase, arriti të godasë saktësisht në shtyllën e dytë duke e dërguar topin në rrjetë, 1-0. Në vazhdim, ishte përsëri skuadra verilindore që krijoi disa mundësi të mira shënimi, por pa arritur të konkretizojë si duhet.
Rezultati 1-0 mbeti në fuqi deri në fund, duke i dhënë skuadrës verilindore tri pikë të rëndësishme, që e lejojnë të marrë frymë lirisht për momentin, duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve. Laçi mbetet në kuotën e 13 pikëve, duke humbur mundësinë që të barazohet me pikë me vendin e parë, Egnatian.