I mjaftonte edhe barazimi për të shkuar në finale, por Vllaznia e realizoi objektivin e kualifikimit me fitore, teksa mundi Dinamon në stadiumin “Arena Kombëtare” me rezultatin 2-1. Duke folur për mediat, menjëherë pas ndeshjes, presidenti i klubit kuqeblu, Alban Xhaferi, shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, ndërkohë që nuk kursen komplimentat ndaj kapitenit Bekim Balaj. Ndërkohë, sa i përket 90-të minutëshit të fundit final, njëshi i klubit kuqeblu fton të gjithë shkodranët të mbushin me 12 maj stadiumin “Arena Kombëtare” në mbështëtje të Vllaznisë për të fituar titullin kampion pas 24 vitesh mungesë.
“Mendoj që ishte një ndeshje e bukur. Sidomos në pjesën e parë skuadra bëri shumë mirë, pavarësisht se në pjesën e dytë pastaj Dinamo mendoj se bëri lojë më të mirë se ne. Por në fund fitorja na buzëqeshi ne dhe tani jemi gjithmonë te finalja.
Balaj është legjenda e shqiptarëve, jo vetëm e Vllaznisë. Kontributi i Balajt dihet, që në Europian e te Vllaznia, jam krenar për të. Jam krenar për të gjithë djemtë.
Unë do të kisha dashur një finale me stadium të mbushur. Pra i bëj thirrje të gjithë tifozerisë shkodrane që atë ditë të mbushim stadiumin he të rrahin zemrat kuqeblu”, u shprehet presidenti Alban Xhaferi pas ndeshjes.