Vllaznia-Skënderbeu 2-0(Shënues: Ardit Hoxhaj 23’, Ante Aralica 88’)
E diele, 12 dhjetor 2021, ora 16.45, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër
Vllaznia (4-2-3-1): Zogovic, Kruja, Adili, Fallou, Hakaj, Heric, Jonuzi, Hoxhaj Da Silva, Latifi, Djurdjevic.
Trajner: Thomas Brdaric
Skënderbeu (5-3-2): Rexhepi, Zguro, Bajrami, Sadriu, Vitija, Meksi, Moraes, Mara, Jean Victor, Berisha, Mensah.
Trajner: Migen Memelli
Gjyqtar: Erjon Bastari VAR: Kridens Meta
Kuqeblutë vazhdojnë serinë e fitoreve teksa mbrëmjen e së dieles mundën në stadiumin “Loro Boriçi”, Skënderbeun e Korçës me rezultatin 2 me 0. Ndonëse, jo me atë shkëlqimin dhe ritmin e ndeshjes së mesjavës me Partizanin, të cilën e fituan me rezultatin 1-0, e rëndësishme për kampin kuqeblu është marrja e tre pikëve. Tre pikë shumë të rëndësishme, të cilat e barazojnë për momentin me Kukësin e vendit të dytë, dhe në të njëjtën kohë i bëjnë presion Tiranës kryesuese.
Pjesa e parë
Për t’u theksuar është se formacioni i Brdariç vinte me dy mungesa të rëndësishme në formacion, kapitenin Gurishta dhe mesfushorin Krymi, që të dy të skualifikuar me karton, i pari me katër të verdha dhe i dyti me të kuqe.
Ishte kjo arsyeja që gjermano-kroati i pankinës kuqeblu vinte me ndryshime në formacion e parë. Dhe, sa herë që ka problem me mungesat në fushë të Gurishtës, alternativa është gati. Bëhet fjalë për mesfushorin Kruja që për nevoja të skuadrës bën edhe mbrojtësin e djathtë. Ndërkohë që mungesën e Krymit në mesfushë, Brdariç e ka zëvendësuar me boshnjakun Heriç, i cili u aktivizua edhe në pjesën e dytë të ndeshjes së kaluar.
Sa i përket fushës së lojës, përgjithësisht duhet thënë u pa një nivel nën mesatar, pa ritmin e duhur dhe e mocionet që tifozëria shkodrane është mësuar t’ia dhurojë skuadra e tyre e zemrës. Megjithatë, ajo çfar ka rëndësi, goli ka ardhur në minutën e 23-të pas një ngulmimi në zonë, fillimisht me Krujën dhe më pas me Ardit Hoxhaj që e shtyn topin në rrjetë. 1 me 0 për Vllazninë, rezultat që megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për minutat në vazhdim, nuk ndryshon duke e mbyllur pjesën e parë në favor të kuqebluve.
Pjesa e dytë
45 minutat e dyta janë fillimisht fotokopje e së së parës, ndërkohë në vijim shikohet një Skënderbe më energjik dhe më kërkues në fushën e lojës. Të orientuar nga trajneri Migen Memelli, korçarët nisin të ushtrojnë presion në portën e Zogoviç, por edhe pse ka në dispozicion disa momente të volitshme, nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës.
E ndërsa, Skënderbeu nxiton për të kërkuar golin e barazimit, lëvizjet në pankinë të trajnerit Brdariç japin rezultatin e duhur. Aralica, Mustedanagiç, Çoba dhe Fangaj, janë të aktivizuarit në pjesën e dytë, ku pikërisht dy prej tyre prodhuan golin e dytë për Vllazninë, që vjen në momentin më të duhur për kuqeblutë.
Është minuta e 88-të, ku pas një shpërthimi të Çobës në fundoren e majtë, topi dhënë nga ana e tij për Aralicën fare pranë portjerit Rexhepi shkon në rrjetë. 2 me 0 për Vllazninë, ku edhe pse ka 5 minuta shtesë, nuk ka më ndryshim të shifrave. Vllaznia është fituese e tre pikëve shumë të rëndësishme duke barazuar përkohësisht Kukësin e vendit të dytë dhe paralajmëruar Tiranën kryesuese. Ndërkohë, për korçarët, humbja në Shkodër është një telash më shumë për situatën problematike për qëndrimin në Superiore.