Sunday, November 24, 2024

Vllaznia dominon, por Tirana fiton. Kuqeblutë zbresin në vendin e tretë në renditje, Tirana futet në “vallen” e titullit

Lexo

Tirana – Vllaznia 1:0

(Shënues Batha 74’

E mërkurë, 28 prill 2021, ora 16.00, stadium “Selman Stërmasi” i kryeqytetit

TIRANA: Bekaj, Vangjeli, Najdovski, Hoxhallari, Toli(Riçard Danso 67’), Çelhaka, Batha(Behiratçe 95′, Ismajlgeci, Halili(Toshevski 46’), Kale(Vairinen 73’), Seferi.(Në dispozicion Lika, Nuriu, Giamfi, Gjumsi, Vrapi).  Trajner: O.Shehi

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Shehi, Isaevski(Niavetxhi 75′)Jonuzi(Cisse 75′), Krymi, Marku(Imeri 75′), Hoxhaj, Da Silva(Kruja 72’), Dilaver. Trajner: Th.Brdariç.

Gjyqtaqë: Laver Alla, Nertil Bregasi, Devis Korreshi(Lushnje)-I katërt: Kridens Meta(Tiranë)

Vëzhgues: Albano Janku(Tiranë)-Delegat: Marjus Sulejmani(Tiranë)

 

Vllaznia luan bukur, dominon takimin, krijon raste të pastra shënimi në portën kundërshtare, por në fund fitues i ndeshjes del Tirana me rezultatin 1 me 0. Takimi i luajtur pasditën e së mërkurës në stadiumin “Selman Stermasi” të kryeqytetit për llogari të javës së 30-të për kategorinë Superiore të futbollit shqiptar kishte edhe një të veçantë që për hirë të së vërtetës, nuk është parë ndonjëherë në fushat e futbollit. Bëhet fjalë për minutën e 79-të kur loja ndërpritet për arsye të largimit të autoambulancës nga stadiumi që siç u mësua arsyeja ishte transportimi në spital i futbollistëve të dëmtuar, Da Silva dhe Halili, të cilët dolën të dëmtuar nga fusha e lojës. Janë plot 16 minuta pritje në fushën e lojës, dhe me rikthimin e autoambulancës në stadium loja fillon përsëri.

Pjesa e parë

Ndonëse Tirana vendase, e cila vinte në këtë ndeshje pas fitores së pastër 0-2 ndaj Teutës kryesuese konsiderohej favorite, ka ndodhur e kundërta. Në fushën e lojës është parë një Vllazni autoritare, e cila duke pasur nën kontroll mesin e fushës, e qarkullon topin dendur, gjë që sjell një epërsi totale të saj ndaj Tiranës, e cila shfaqet inferiore ndaj kuqebluve duke lënë në rolin e spektatorit portjerin Zogoviç. Duket qartë se Vllaznia kërkon me patjetër të marrë tre pikë në këtë ndeshje. Rastet në portën vendase nuk mungojnë, por goli nuk del në dritë. Pjesë e këtij 45 minutëshi të parë është edhe dëmtimi i minutës së 26-të gjatë një përplasje kokë më kokë të sulmuesit kuqeblu, Viktor Da Silva dhe mbrojtësit bardheblu Kristi Vangjeli duke bërë që loja të ndërpritet për disa minuta. Nga sa u pa, faturën më të madhe të kësaj përplasje e ka marrë  braziliani i Vllaznisë, i cili minutat në vazhdim i luajti i fashuar në kokë.

Pjesa e dytë

Edhe pjesa e dytë është më e mirë për Vllazninë, madje minuta e 52-të regjistron një rast flagrant për gol në portën e Tiranës. Portjeri Bekaj kthen një top në lojë pas gjuajtjes së Da Silvës, dhe aty Haris Dilaver habit të gjithë kur nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. “Kur nuk shënon, edhe e pëson”, -kështu i ndodh Vllaznisë, kur në minutën e 74-t, Tirana kalon në avantazh. Është i njëjti goleador bardheblu, kapiteni Batha që shndërron në gol një goditje dënimi të ekzekutuar nga një pozicion diagonal, topi i goditur prej tij shkon direkt në rrjetën e Zogoviç duke mos u prekur nga asnjë futbollist. Gjashtë minuta pas golit të avantazhit bardheblu, trupa gjykuese konstaton se autoambulanca është larguar nga stadiumi, ndaj sipas rregullores ndërpret ndeshjen. Janë 16-të minuta pritje nga të dyja skuadrat, që e “ftohin”, jo vetëm futbollistët në fushën e lojës, por që me rifillimin e takimit, duket se ritmi dhe tempi i ndeshjes ka rënë ndjeshëm. Dhe, kjo shkon pak a shumë në favor të vendasve, të cilët arrijnë t’i administrojnë në favorin e tyre këto minuta, deri sa edhe pas katër minutave shtesë,  vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit Laver Alla fikson rezultatin 1 me 0 për Tiranën. Fitore kjo dhe tre pikësh i artë për bardheblutë që i fut ato seriozisht në “valle”, jo vetëm për një vend në Kupat e Europës, por pse jo edhe për titullin kampion. Ndërkohë, humbja e zbret Vllazninë në vendin e tretë të renditjes duke ia lënë kreun Teutës, skuadër e cila do të jetë mysafire të dielën ose të hënën e fundjavës në stadiumin “Loro Boriçi”, në një sfidë tjetër përcaktuese për fatet e titullit kampion.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img