Skënderbeu – Vllaznia 0-2
(Shënues: Dilaver 33’, Victor Da Silva 43’)
E diel, 8 nëntor 2020, ora 16.45, stadiumi “Skenderbeu” Korçë
Skënderbeu: Dajsinani, Vangjeli, Bicaj, Qaqi, Meski, Taipi, Maram Rrapaj, Berisha, Pusi, Mensah
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Krymi, Marku(Kalaja 86’), Kruja, Isaevski, Victor Da Silva(A. Hoxhaj 71’), Imeri(Jonuzi 62’), Dilaver(Dunga 62’)
Dy ndeshje, dy fitore, katër gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, bilanc ky që pas dy javëve kampionat e pozicionon Vllazninë në vendin e parë të tabeles së klasifikimit. Një nisje si kjo të kampinatit nga ana e kuqebluve pak kush e kishte menduar. Por, tashmë kjo është një realitet i prekshëm, çka e bën skuadrën kuqeblu të frikshme për javët e ardhshme të kampionatit. Nëse për fitoren e javës së parë ndaj Apolonisë debutuese kishte ndonjë opinion se u fitua ndaj një skuadre debutuse dhe jo në nivelin e duhur, në ndeshjen e dytë të transfertes korçare, me atë paraqitje super cilësore, Vllaznia nuk la shteg për asnjë koment tjetër përveçse vlerësimeve pozitive në të gjitha drejtimet. Pa anashkaluar edhe faktorët e tjerë mbështetes, merita e këtij suksesi shkon për trajnerin Thomas Brdariç, i cili elementin cilësor që i mbërriti në merkato arriti t’i përshtatte në mënyrën më mirë në fushën e lojës. Një trajner ky me mentalitet fituesi, gjë që u pa konkretisht edhe në konferencen e shtypit të pragndeshjes kur pyetjes së gazetarëve në lidhje me rezultatin e mundshëm, ai i përgjigjej, vetem për fitore dhe asnjë alternative tjetër.
Ndeshja
Minutat e para të sfides të luajtur pasditen e së dieles në stadiumin “Skenderbeu” të Korçës ishin të vendasve, të cilët shfaqen më kërkues në fushën e lojës. Minuta këto që shoqërohen edhe me raste të rrezikshme në portën kuqeblu, por portjeri Zogoviç është në një ditë të mirë. E ndërsa pritej të shënonte Skenderbeu, goli vjen në portën korçare. Shënues është Dilaver, ai i cili pasi merr një top të përpiktë në formë krosi nga Kruja në të djathtë e kalon topin në rrjeten korçare. Vendasit befasohen nga pësimi i golit dhe kërkojnë të reagojnë për të gjetur golin e barazimit, por ai vjen përsëri në portën e tyre. Një gol i dytë ky me autor Victor Da Silva që godet rëndë Skenderbeun, sidomos në aspektin psikologjik duke mos arritur ta gjejë më veten deri në fund të ndeshjes. Nga ana tjetër, Vllaznia e dirigjuar perfekt nga tekniku Brdariç e menaxhon në mënyrën më të mirë 45 minutëshin e dytë duke e mbyllur takimin me dy golat e shënuar në pjesen e parë. 0 me 2 për Vllazninë dhe pas dy javëve kampionat, kuqeblutë e shikojnë veten në krye të tabeles së klasifikimit.
Premio e presidentit Xhaferi
Fitorja në transferte nga ana e Vllaznisë ka edhe një çmim. Ai ka të bëjë me premion e akorduar përpara ndeshjes nga ana e presidentit Alban Xhaferi. Në këmbim të një fitoreje tre pikëshe në transferte, njëshi i klubit kuqeblu e motivoi skuadrën me premion e 5 milion lekëve. Premio kjo që duket se dha efektin e duhur në realizimin e fitores së kuqebluve. Ndërsa, tek vete Xhaferi, fitorja krijoi një atmosfere entuziaste, gjë që ai nuk nguron ta shprehë menjëherë pas ndeshjes, me postimin në rrjetin social FB.
“Sot ekipi i jone tregoi forcë dhe deshire për të arritur tek fitorja! Jemi 2 ndeshje me 4 gola te shenuar dhe zero te pësuar. Urimet më të mira shkojnë për këto djem, trajnerët dhe gjithe stafit teknik Se bashku ne rrugen drejt suksesit! Para Vllaznia ,Return to Glory”
Gaspër MARKU