Vllaznia e basketit meshkuj nuk ia del. Besëlidhja, fiton edhe ndeshjen e tretë gjysmëfinale dhe shkon në finalen e kampionatit të Superligës

Beslidhja-Vllaznia  95-79(10-19, 29-25, 34-17, 22-18)

Me tre fitore radhazi, Besëlidhja e basketit meshkuj mbyll duelin gjysmëfinal me Vllazninë duke prerë bileten e finalistes së parë të Kampionatit Kombëtar të Superligës së basketbollit meshkuj, dhe tashmë është në pritje të finalestes tjetër që do të dalë nga çifti Apolonia-Teuta, ku pas tre duelesh, kryesohet nga fierakët 2-1.

Referuar duelit gjysmëfinal Besëlidhja-Vllaznia, ai nisi me fitoren e parë të lezhjanëve me rezultatin 78-65, takim ky i luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” për të vijuar me takimin e dytë luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Sfidë kjo tejet elektrizuese dhe me një publik shumë entuziast, ku krahas fansave kuqeblu të pranishëm ishin edhe një pjesë e konsiderueshme e tifozërisë lezhjane, u mbyll me fitoren e Besëlidhjes 74-92.

Ndonëse përballë një skuadër potente, padyshim më të mirën e basketbollit shqiptar të viteve të fundit, Vllaznia tentoi që me një fitore në ndeshjen e tretë te rihapte garën. Dhe, në fakt, sfida e tretë e luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën kuqeblu.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Eni Llazani prezanton një period të parë tërësisht dominuese ndaj Besëlidhjes, teksa e mund me shifrat 10 me 19. Me një lojë të mirë vijon edhe perioda e dytë për Vllazninë, por fundi i kësaj periode flet lezhjanët, të cilët arrijnë ta fitojnë atë me shifrat 29-25, por pa mundur të frenojnë fitoren e pjesës së parë nga Vllaznia me shifrat 39-44.

Por, ato që vendosin fatin e kësaj ndeshje janë 20-të minutat e pjesës së dytë, dhe sidmos perioda e tretë e cila fitohet me një rezultat të thellë nga lezhjanët me shifrat 34-17 duke përmbysur shifrat në favorin e tyre, 73-61.

Epërsia e  Besëlidhjes vijon të jetë prezente edhe në periodën e katërt, ku djemtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali e fitojnë me shifrat 22-18 duke bërë që e gjitha ndeshja të mbyllet me fitoren e lezhjanëve me rezultatin, 95-79.

Në këtë mënyrë, me tre fitore radhazi, Besëlidhja vijon rrugën për në finalen e Kampionatit Kombëtar të Superligës së meshkujve duke pritur rivalin tjetër që do të dalë nga çifti Apolonia-Teuta, që pas tre duelesh kryesohet nga fierakët 2-1.

Ndërkohë, kuqeblutë e Vllaznisë e mbyllin këtu rrugëtimin e tyre, të sezonit 2024-2025, që ndonëse nuk arritën të fitojnë trofe, mbërritja në finalen e Kupës së Shqipërisë si dhe në katër më të mirat e gjysmëfinales së kampionatit, është një tregues pozitiv, që gjithësesi, me pak kujdes, bilanci mund dhe duhej të ishte më pozitiv.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu