Vllaznia e Shkodrës në futboll për femra vazhdon të jetë skuadra absolute e Kampionatit Kombëtar. 9 herë kampione e Shqipërisë, po ka kaq herë edhe fituese e Kupës së Shqipërisë, dhe në mënyrë të padiskutueshme pritet të jetë fituese edhe e dy trofeve të këtij sezoni për të arritur shifrën e 10 trofetë në të dy kompeticionet kombëtare.
Themi kështu, pasi në garën e kampionatit, pas javës së 11-të të luajtur këtë të dielë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka kryeson renditjen me 33 pikë të plota. Por, jo vetëm kaq, sepse duke i shtuar edhe golaverazhin super pozitiv, 80 me 0, skuadra kuqeblu është për rekord guinness. Ndërkohë, që edhe në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, duke qënë finaliste, synon patjetër që edhe këtë trofe ta bëjë të vetin këtë sezon futbollistik.
Vetëm në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, Vllaznia arriti të shënojë 25 gola. Pas fitores së javës së kaluar 12-0 ndaj Laçit, sot ka sfiduar edhe Teutën me një tjetër rezultat të thellë, 13-0. Në ndeshjen e sotme, luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, rrjetat për skuadrën kuqeblu, i tundën Doçi (6), Franja (2), Gjini (2), Vrucaj, Kodra, e Mustafaj, nga 1.
Në ndeshjet e tjera, vemendjen kryesore e ka marrë derbi i kryeqytetit, Tirana-Kinostudio. Ndeshje kjo e dominuar nga skuadra bardheblu, e cila e drejtuar nga trajnerja Aurora Seranaj fitoi thellësisht me rezultatin 6-0. Autore të golave për Tiranën, e cila ndjekë Vllazninë në vendin e dytë, janë: Vishkulli (4) dhe Coka (2). Një fitore që e mban ekipin e Tiranës në vendin e dytë në kampionat.
Krahas derbit kryeqytetas, Tirana-Kinostudio, këtë javë ka qënë edhe derbi i i veriut, Kukësi-Laçi. Skuadra kurbinase e drejtuar nga trajneri Elis Legata ka realizuar një fitore me vlerë duke mundur verilindoret me rezultatin 0-5, tre pikë këto që e pozicionojnë Laçin në vendin e gjashtë të renditjes.
Sfida tjetër e kësaj jave, ishte ajo në mes Skënderbeut dhe Lushnjes, ku korçaret fitojnë me rezultat të ngushtë, 2-1. Sa i përket çiftit tjetër të kësaj jave, Apolonia – Partizani, kjo ndeshje nuk është zhvilluar për shkak të impenjimeve të futbollisteve të të dyja skuadrave me ekipet kombëtare të moshave, duke u shtyrë për një datë tjetër.
Rezultatet e ndeshjeve të javës së 11-të
Vllaznia – Teuta 13-0
Kinostudio – Tirana 0-6
Kukësi – KF Laçi 0-5
Skënderbeu – Lushnja 2-1
Apolonia-Partizani ? (nuk u zhvillua)