Vllaznia e koshit pa trajner. Largohet Milatoviç, nesër në Kamza-Vllaznia, skuadra drejtohet nga Ervin Berdica

Vllaznia-Peja, e vlefshme për Ligën Unike në basketboll për meshkuj, ishte ndeshja e fundit që trajneri Nikola Milatoviç drejtoi skuadrën kuqeblu. Humbja e kësaj sfide, por edhe disa të tjerave të mëparshme, duket se kanë ndikuar në vendimin e marrë nga drejtuesit e Klubit të Basketbollit Vllaznia për shkarkimin e trajnerit malazez.

Ardhja e Milatoviç në krye të Vllaznisë vinte pas një seri suksesesh në kampionatin shqiptar, së fundmi kampion me ekipin e Teutës, pritej të forconte Vllazninë dhe të dobësonte rivalin. Të paktën kështu besonte presidenti Alban Xhaferi kur firmosi me teknikun malazez. Por, çuditërisht, gjërat nuk shkuan aspak mirë në drejtimin e Vllaznisë, jo vetëm në rezultatet, por edhe në raportet brenda skuadrës. Një gjë e tillë çoi në shkëputjen e marrëdhënieve dypalëshe gjatë ditës së martë, ndërkohë që seanca stervitore e kësaj dite është drejtuar nga zv.trajneri kuqeblu Ervin Berdica.

Largimi i trajnerit Milatoviç vjen në një kohë kur skuadra kuqeblu ka një bilanc negativ në pjesëmarrjen e Ligës Unike, Shqipëri-Kosovë duke qënë në vendin  fundit të renditjes, me një fitore dhe 5 humbje, ndërkohë që edhe në kampionatin e Superligës shqiptare renditja e saj është në vendin e katërt.

Deri në mbyllje të vitit 2021, Vllaznia ka në kalendar edhe tre ndeshje, një për Ligën Unike dhe dy për Superligën e basketbollit shqiptar. Nesër, skuadra kuqeblu nën drejtimin e trajnerit të komandur Ervin Berdica luan në transfertë përballë Kamza Basket, ndërkohë që më pas ndeshet me Teutën për Ligën Unike për ta mbyllur me Dinamon për Superligën shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu