Vllaznia e mbylli si nënkampione e vendit sezonin 2024-25 në Superiore, me shkodranët që u ndalën vetëm në finale kundër Egnatias, duke u mposhtur me rezultatin 4-0 dhe duke mos bërë të mundur rikthimin e titullit kampion pas 24 vitesh në Shkodër. Megjithatë, shkodranët ishin një nga skuadrat që i dhanë “tonin” Superiores, duke treguar edhe dominancë mbi disa kundërshtarë të caktuar. Kështu, “viktima” e preferuar e kuqebluve në edicionin e shkuar ishte Teuta. Në 4 ndeshje të zhvilluara ndaj durrsakëve, 9 herë kampionët e vendit morën 3 fitore dhe 1 barazim, duke grumbulluar kështu 10 pikë nga 12 të mundshme kundër bregdetarëve. Pas tyre në këtë statistikë si skuadrës së cilës Vllaznia i mori më shumë pikë në edicionin 2024-25, vjen Tirana, ku në “klasiket” e sezonit të shkuar ishin shkodranët dominues, duke marrë 2 fitore dhe 2 barazime, për një total pikësh prej 8 të tillash nga 12 të mundshme.
Treshen e skuadrave të cilave Vllaznia u ka marrë më shumë pikë sezonin e shkuar, e mbyll Partizani. Në përballjet me të kuqtë, shkodranët kanë grumbulluar 7 pikë, ku llogariten 2 fitore, 1 barazim dhe një humbje. Pavarësisht se nuk ka njohur asnjë humbje ndaj Elbasanit në 4 përballje në kampionat, Vllaznia ka marrë vetëm 6 pikë ndaj verdhebluve. Kjo pasi dominues ka qenë barazimi në duelet e kësaj dyshe, me 3 të tillë dhe një sukses të shkodranëve. Por, po ashtu Vllaznia ka pasur edhe “tabutë” e saja, me Egnatian të cilës i ka marrë vetëm 5 pikë në 4 përballje, ku numërohen 1 fitore, 2 barazime dhe një humbje. Statistikat të njëjta shkodranët kanë pasur edhe ndaj Laçit, ku edhe ndaj kurbinasve janë grumbulluar 5 pikë nga 12 të mundshme.
PROBLEMI – E vetmja skuadër që ka qenë një “makth” për shkodranët në ndeshjet e sezonit të rregullt, ishte Dinamo. Kryeqytetasit i mposhtën dy herë kuqeblutë, një takim të barazuar dhe një fitore të Vllaznisë, ku blutë janë ekipi ndaj të cilit 9 herë kampionët e vendit kanë grumbulluar më pak pikë se ndaj çdo kundërshtari tjetër, me 4 të tilla nga 12 të mundshme.
Endri ÇINARI