Një pikë që vijon të konfirmohet e fortë për Vllazninë që nga marsi i këtij viti janë ndeshjet shtëpiake. Stadiumi “Loro Boriçi” është shndërruar në një “fortesë” për kuqeblutë, ku kundërshtarët e kanë thuajse të pamundur për të dalë me pikë nga Shkodra. Edhe këtë edicion në dy ndeshjet e zhvilluara deri më tani në shtëpi, shkodranët kanë një rekord absolut prej 100% të fitoreve. Dhe kjo ndaj skuadrave si Egnatia dhe Partizani, që konsiderohen ndër pretendentët dhe ekipet kryesore të kampionatit. Kështu kuqeblutë në dy ndeshje të zhvilluara në shtëpi kanë marrë 6 pikë. Kjo falë fitoreve 2-0 ndaj Egnatias në javën e parë të edicionit dhe kësaj të fundit me rezultatin 4-1 kundër Partizanit.

Në këtë mënyrë duke shënuar edhe 6 gola në dy ndeshje e pësuar vetëm një të tillë, statistika që patjetër tregojnë për një skuadër shumë të fortë në shtëpi. Ku shkodranët kanë dominuar jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë ndaj kundërshtarëve që kanë mirëpritur në Shkodër dhe në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ndeshjet shtëpiake me të vërtetë kanë qenë një faktor që janë shfyrtëzuar më së miri tek Vllaznia. Ku shkodranët kërkojnë gjithmonë maksimumin në momentet ku skuadra luan përballë tifozëve dhe në shtëpinë e saj. Një rekord 100% të fitoreve deri më tani në Superiore ka edhe Elbasani. Por verdheblutë kanë një golavarazh më të dobët se Vllaznia, me ekipin e Gvozdenoviç që ka shënuar 2 gola në dy fitoret minimale 1-0 ndaj Dinamos dhe Flamurtarit.
SULMUESI – Vllaznia arriti të kthehej te fitorja në kampionat dhe këtë e bëri në një mënyrë spektakolare ditën e shtunë në duelin e zhvilluar ndaj Partizanit. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 4-1 ndaj “demave”, duke marrë 3 pikët e po ashtu duke bindur në lojë. Pavarësisht se 3 nga golat e fitores për ekipin e Martinit erdhën në minutat shtesë, 9 herë kampionët e vendit merituan gjithçka ndaj miqve kryeqytetas. Të cilët nuk arritën të rezistonin deri në fund dhe të dilnin me një pikë nga Shkodra. Ajo që u vu re në ndeshjen ndaj Partizanit ishte fakti se te Vllaznia, skuadra u duk shumë më e lidhur dhe më në formë se në dy ndeshjet paraardhëse.
Të ardhurit në merkaton verore tashmë duket se dalëngadalë po fitojnë ritmin e duhur e po ashtu po vënë cilësitë e tyre në shërbim të skuadrës. Dy futbollistë që bënë diferencën në mesfushë me klasin dhe vizionin e tyre në ndeshjen e javës së tretë ishin Edon Murataj dhe Sherif Kallaku. Të dy mesfushorët u prezantuan si titullarë nga ana e trajnerit Martini, i cili kishte preferuar një skuadër me elementë të shumtë sulmues. Duke shtuar këtu edhe treshen Balaj-Bismark-Kastrati. Për t’u kthyer tek dy mesfushorët, gjithçka për manovrën sulmuese të skuadrës kaloi nga këmbët e tyre. Me Muratajn që po ashtu tentoi edhe disa herë portën kundërshtare, por pritjet e Hoxhës apo dhe fati që nuk ishte me 23- vjeçarin i mohuan atij shijen e golit në ndeshjen ndaj Partizanit.
Po ashtu edhe Kallaku u duk në ngritje të nivelit të tij, me pasimet apo driblimet që bënë diferencën në fushën e lojës. Duke i sjellë Vllaznisë kontrollin e ndeshjes në pjesën më të madhe të minutave. E me të dy futbollistët që u vlerësuan nga publiku shkodran për performancën e tyre duke marrë edhe duartrokitje të shumta. Shumë fantazi dhe klas për Vllazninë, që vjen nga këmbët e Muratajt e Kallakut, cilësi që në edicionet e shkuara kishte munguar tek shkodranët.
Endri ÇINARI



