Friday, January 16, 2026

Vllaznia fiton betejën me kryesuesit, Egnatia bie në “Loro Boriçi”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Vllaznia ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 19-të të Superiores, duke mposhtur me rezultatin minimal 1–0 Egnatian në stadiumin “Loro Boriçi”. Një sukses me peshë të madhe për shkodranët, të cilët ndalën kampionët në fuqi dhe kryesuesit aktualë të kampionatit.

Skuadra e drejtuar nga Edi Martini u shfaq e organizuar dhe mjaft kërkuese gjatë gjithë takimit, duke treguar qartë se ndodhet në një moment pozitiv forme. Goli i vetëm i sfidës u shënua në pjesën e parë nga mesfushori Kallaku, pas një aksioni të ndërtuar në mënyrë perfekte që nga prapavija. Kombinimet e shpejta dhe lëvizjet e sakta në fazën ofensive lanë të shtangur mbrojtjen e Egnatias, me Kallakun që përfitoi për të dërguar topin në rrjetë.

Pas golit të avantazhit, Vllaznia administroi me kujdes rezultatin, duke treguar siguri në mbrojtje dhe disiplinë taktike, ndërsa Egnatia u përpoq të reagonte, por pa arritur të gjente rrugën e golit. Rastet për miqtë ishin të pakta dhe portieri shkodran u tregua i vëmendshëm në momentet vendimtare.

Pas 19 javësh të zhvilluara në Superiore, skuadra e drejtuar nga Tetova vazhdon të kryesojë renditjen me 37 pikë, megjithëse kjo humbje ngushton distancën me ndjekësit. Në krahun tjetër, Vllaznia shkon në kuotën e 33 pikëve, vetëm katër pikë larg kreut, duke dhënë sinjale të qarta se është rikthyer fuqishëm në garën për objektivat madhorë të sezonit.

Kjo fitore rrit ndjeshëm besimin në kampin shkodran dhe konfirmon se Vllaznia mbetet një pretendente serioze për zonat e sipërme të renditjes.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img