Skuadra kuqeblu është duke mbyllur përgatitjet për ndeshjen me Tiranën, ku përpos seancës së mërkurë ka në dispozicion edhe një tjetër të së enjtes, dhe më pas në progam është nisja drejt kryeqytetit në pritje të sfides së premte në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Përgjithësisht, skuadra duket e karikuar për të marrë një rezultat pozitiv në përballjen me Tiranën. Ajo nisje e dobët në javën e parë ndaj Erzenit është lënë pas, dhe tashmë skuadra pritet të ecë me ritmin e formës sportive që paraqiti në javën e dytë ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”.
Sa i përket gjendjes së skuadrës, fillimi i javës shfaqi probleme dëmtimi për dyshen Hakaj-Latifi, duke vënë në dyshim aktivizimin për ndeshjen e radhës me Tiranën.
Por, sipas stafit mjekësor, ditët në vazhdim paraqitën një përmirësim të dukshëm për mbrojtësin e majtë. Kështu që, Hakaj i është bashkuar grupit të parë duke qënë në dispozicion të teknikut Josa për sfidën me Tiranën.
Ndërkohë, nisur edhe nga pesha më e madhe e dëmtimit që mori në ndeshjen e kaluar ndaj Kukësit, vetëm Liridon Latifi pritet të jetë mungesa e vetme në duelin me Tiranën, pasi të tjerët janë të gjithë të gatshëm.