Wednesday, November 13, 2024

Vllaznia likujdon Kastriotin dhe nis rrugëtimin për të kapur rivalët

Lexo

Vllaznia-Laçi 3:1 (Shënues: Aralica 10′ , Hoxhaj 19′ , 56′ / Ajazi 76′)

E shtunë, 20 nëntor 2021, ora 16.45, stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës

VLLAZNIA: Zogoviçc, Gurishta, Dianje, Adili, Hakaj(Bulatoviç 90+4’), Krymi, Jonuzi, Mustedanagiç(Heriç 69’), Aralica(Çoba 90+3), A. Hoxhaj(Kruja 69’), Latifi(Smajli 90+4), Trajner: Thomas Brdariç

KASTRIOTI:  Vata, Neziri, Karakaçi(Hasani 76’), Olajemi, Kodra(Okebuku 66’), Prodani, Onanuga, Mudrazhija, (Ajazi 46’), Rami(Dida 52’), Basha, Greca, Trajner: Ramandan Ndreu

Gjyqtarë: Erjon Bastari, Rejdi Zajmi, Elvis Gjoka-I katërt: Eldorjan Hamiti

VAR: Kreshnik Bajramaj   AVAR: Rejdi Avdo

Konsiderohej e vështirë në letër duke pasë parasysh Kastriotin e një sezoni më parë që pati frenuar Vllazninë në “Loro Boriçi”, por në fakt mbrëmja e sotme tregoi krejt të kundërtën. Kuqeblutë ishin dominues në të gjitha drejtimet ndaj ekipit krutan, gjë që shprehet me fitoren 3 me 1, por me rastet e shumta të shpërdoruara n ga vendasit, Vllaznia i kishte mundësitë të fitonte me një rezultat më të thellë.

Megjithatë, për hirë të së vertetes, sfida e luajtur për llogari të javës së nëntë të kategorisë Abissnet Superiore ka filluar me një rast shumë të pastër shënimi për miqtë nga Kruja.  Ishte minuta e katërt, kur një gabim në mbrojtjen kuqeblu i jep mundësinë e artë Arbër Bashës që i vetëm përballë Zogoviç, shpërdoron.

Kaq ishte për miqtë, sepse më pas gjithçka ishte nën kontrollin e Vllaznisë. Presioni në portën krutane me një sërë aksionesh të rrezikshme shpërblehet me dy gola të shpejtë me autor kroatin Ante Aralica dhe vlonjatin Ardit Hoxhaj, përkatësisht në minutat 10-të dhe 19-të. Minutat në vijim janë tërësisht nën diktatin e kuqebluve, të cilët shpërdorojnë pa fund, mes të cilëve, edhe Ardit Hoxhaj, me një rast super flagrant të minutës së 45-të që humb një rast ideal, krejt i vetëm në zonën krutane e dërgon topin mbi traun e portës së portjerit të Kastriotit, Vata.

Përpara se skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, kuqeblutë gjejnë golin e tretë me anë të Latifit, por ai vlerësohet në pozicion jashtë loje. Për t’u theksuar është se goli i anoluar mund të shënohej fare lehtë nga Aralica, i cili pasi shmang edhe portjerin mik Vata, me portën e boshatisur nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë, pasi ai godet shtyllën pingule të portjerit Vata duke u kthyer tek Latifi që kapet në pozicion jashtë loje.

Megjithatë, goli do të vinte me të filluar pjesa e dytë, sërishmi me Ardit Hoxhaj, tashmë i rikthyer si titullar dhe me oreks goli, kur kemi parasysh edhe dy golat në Kupë ndaj Pogradecit.

Është minuta e 56-të, kur shifrat shkojnë në 3 me 0 për Vllazninë.  Minutat në vazhdim janë përsëri të Vllaznisë, por nga ana tjetër edhe Kastrioti fillon të lëvizë jo pak drejt portës së malazezit Zogoviç. Madje, arrin të shënojë në minutën e 78-të me anëtë Ajazit të aktivizuar në pjesën e dytë. Goli jep efekt tek miqtë që marrin më shumë zemër për të kërkuar diçka më tepër në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes.

Por, Vllaznia nuk lëshon, përveçse mbrohet mirë, ka përsëri raste të tjera shënimi në portën e Vatës. Minutat në vazhdim duket se skuadrat pajtohen me rezultatin duke pritur edhe vërshëllimën përfundimtare të arbitrit Bastari duke fiksuar rezultatin 3 me 1 për Vllazninë.

Një fitore kjo, që jo vetem e rritë në klasifikim Vllazninë, por më së shumtmi e rritë shumë edhe në aspektin moral duke shtuar besimin se në javët në vazhdim, rrugëtimi i saj do të jetë edhe më pozitiv në kërkim të kapjes së rivalëve që janë shkëputur në grupin kryesues të renditjes.

Gaspër Marku

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img