Friday, November 22, 2024

Vllaznia, merkato me “pikatore” për ditët e mbetura të afatit deri në fund të gushtit. Presidenti Xhaferi kërkon goditje cilësore dhe të matura

Lexo

Eleminimi i shpejtë që në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës, për më tepër pas asaj loje zhgënjyese në takimin e dytë të zhvilluar në Shkodër kundër Valurit, duket se rriti tensionin mes presidentit të klubit dhe drejtuesve sportivë të tij.Skuadra nuk ka dhënë atë që pritej dhe afrimet e bëra në fillimin e merkatos nuk kanë qenë në ato pritshmëritë e drejtuesve të lartë të kuqebluve. Kjo situatë duket se ka bërë që presidenti Alban Xhaferi tani të jetë më i matur për lojtarët që do të hyjnë në skuadër në këtë periudhë të mbetur të merkatos së verës.

AFRIME ME “PIKATORE” – Në vazhdim pritet që te Vllaznia të bëhen pak përforcime dhe të besohet më shumë te lojtarët e rinj, që janë tanimë jo të paktë në skuadër. Ka edhe një muaj kohë deri në fundin e merkatos, ndërkohë te Vllaznia nuk ka lëvizur thuajse asgjë që nga qershori, kur u bënë përforcimet. Kuqeblutë, përveç afrimeve të Kahrimanoviçit, Qatos, Deliut, Bajramit dhe Gurishtës, kanë marrë vetëm Ensar Tafilin dhe kanë bërë disa rinovime me të rinjtë e klubit, të cilët janë të perspektivës. Pas eliminimit nga Liga e Konferencës në fakt u mendua se te Vllaznia do të kishte lëvizje të rëndësishme në hyrje, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur. Pavarësisht se drejtuesit e skuadrës janë shprehur se janë në kërkim të futbollistëve cilësorë, ata nuk kanë vepruar konkretisht për të sjellë elementë të tjerë që mund të bëjnë diferencën.

BRDARIÇ- Edhe trajneri i skuadrës shkodrane, Tomas Brdariç, bëri të qartë pas humbjes së thellë me Valurin në Shkodër se Vllaznia ka nevojë për futbollistë të tjerë, sepse grupi duhet përforcuar. Deri në këtë moment nuk ka asnjë lëvizje, ndoshta ngaqë pritej që klubi shkodran të siguronte më shumë të ardhura nga Europa dhe t’i shpenzonte ato për blerjet e tjera. Deri më 31 gusht gjithçka mund të ndodhë dhe duhet pritur për të mësuar, nëse do të ketë apo jo të tjera afrime te Vllaznia. Shkodranët kishin si qëllim që të afronin të paktën edhe një sulmues dhe më parë është folur për disa pista, që më pas kanë rënë poshtë.

Admir URUÇI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img